Nga dje, italianët janë thirrur në një referendum kombëtar për të shprehur qëndrimin e tyre rreth çështjes së marrjes së nënshtetësisë nga të huajt e rritjes së sigurisë në punë. Por, rezultati rrezikon të mos jetë i vlefshëm, pasi deri në orën 23:00 të së dielës, pjesëmarrja rezultoi tepër e ulët, vetëm 22%.
Referendumi do të mbyllet në orën 15:00 të ditës së sotme dhe për t’u konsideruar i pranueshëm duhet të marrë pjesë më shumë se 50% të mbështetjes së personave që kanë të drejtën e shprehjes.
Për çfarë po votohet në Itali?
Në referendum janë shtruar pesë pyetje, për të cilat është lënë afati kohor e diela nga ora 07:00 deri në orën 23:00 dhe e hëna nga ora 07:00 deri në orën 15:00.
Nënshtetësia italiane: të ulet nga 10 vite në 5 vite koha e kërkuar me ligj për banimin në Itali për të huajt nga jashtë BE-së që aplikojnë për nënshtetësinë italiane. Përgjysmimi i kohës do e shpejtonte dhënien e nënshtetësisë italiane për ata që u takon kjo e drejtë, rreth 2,3 milionë personave në Itali.
Kontrata e punësimit me mbrojtje më të mirë: të shfuqizohet i rregullorja për shkarkimet e padrejta.
Bizneset e vogla: të shfuqizohet pjesërisht pjesa për shkarkimin dhe kompensimet.
Të shfuqizohen pjesërisht rregullat për vendosjen e kufijve kohorë në kontratat e punësimit, kohëzgjatjen maksimale, dhe kushtet për zgjatjet apo rinovimet.
Të shfuqizohet rregullorja që përjashton nga përgjegjësia klientin, kontraktorin dhe nënkontraktorin për lëndime të pësuara nga punonjësit e kompanive kontraktuese apo nënkontraktuese, që rezultojnë nga rreziqe specifike të aktivitetit të kompanive kontraktuese apo nënkontraktuese.