Armenët janë thirrur të votojnë në zgjedhjet parlamentare që pritet të jenë test mbi mbështetjen për kryeministrin e vendit. Ai realizoi një marrëveshje të diskutueshme paqeje me Azerbajxhanin fqinj dhe ka bërë përpjekje për ta afruar vendin e vogël të Kaukazit Jugor me Perëndimin, pas dekadash varësie nga Rusia.
Ministria e Brendshme njoftoi se 2.49 milion persona janë regjistruar për të votuar për 18 subjekte politike në 2.005 qendra votimi.
Partia e kryeministrit Nikol Pashinian, Kontrata Qytetare, kryesoi në sondazhet para zgjedhjeve, përballë disa subjekteve proruse. Qendrat e votimit u hapën në orën 08:00 dhe pritet të mbyllen më 20:00.
Rreth 400 vëzhgues ndërkombëtarë janë autorizuar të monitorojnë procesin. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve tha se rezultatet paraprake do të publikohen brenda 24 orëve pas mbylljes së votimit, ndërsa përfundimtaret, më 14 qershor.
Marrëdhëniet e Jerevanit me Moskën ishin çështja kryesore elektorale, veçanërisht pas vendimit të Rusisë për të vendosur kufizime ndaj eksporteve armene në javët e fundit, si reagim kundrejt afrimit të mëtejshëm të Armenisë me Perëndimin.
Sondazhet sugjerojnë se Kontrata Qytetare gëzon mbështetjen e 24-32% të elektoratit, ndërsa partia proruse Armenia e Fortë gëzon rreth 6-11% përkrahje, duke u renditur e dyta.
Në prag të zgjedhjeve, autoritetet armene arrestuan gjashtë kandidatë të Armenisë së Fortë, siç raportuan mediat shtetërore, pa dhënë arsye për arrestimet.
Armenia e Fortë ka deklaruar se synon të ruajë lidhjet ekonomike dhe politike të Jerevanit me Rusinë dhe ka akuzuar Pashinianin për armiqësi të rrezikshme ndaj Moskës.
Partia udhëhiqet nga miliarderi rusoarmen, Samvel Karapetian, i cili ndodhet në arrest shtëpie, me akuza për thirrje në rrëzimin e qeverisë. Akuzat i ka cilësuar si “të motivuara politikisht”.
Mbështetja e SHBA-ve dhe BE-së për partinë e Pashinianit
Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe Bashkimi Europian kanë shfaqur mbështetje për Pashinianin, i cili mori pushtetin në vitin 2018 pas një kryengritjeje popullore kryesisht paqësore, e njohur si Revolucioni i Kadifenjtë, kundër qeverisë së mëparshme miqësore me Moskën.
Pashiniani ka nisur procesin e anëtarësimit në BE, por që pritet të zgjasë shumë vite dhe ka avancuar procesin e paqes me Azerbajxhanin fqinj.
Kjo politikë e diskutueshme ka forcuar opozitën, si dhe ka zemëruar edhe disa nga mbështetësit e tij të mëparshëm.
Pashiniani fitoi mbështetje nga Amerika pasi pranoi të marrë pjesë në Iniciativën e presidentit Trump, “Rruga për Paqe dhe Prosperitet Ndërkombëtar”.
Procesi i nënshkrimit dypalësh u përfundua kur sekretari i Shtetit, Marco Rubio sigloi dokumentin e parafirmosur gjatë një vizite në Jerevan, muajin e kaluar.
Kryeministri ka tentuar të normalizojë marrëdhëniet edhe me Turqinë, aleate e ngushtë e Azerbajxhanit.