Izraeli paralajmëroi sot se do të vazhdojë të sulmojë Libanin, derisa grupi militant Hezbollah, i shpallur “terrorist” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të çarmatoset. Liderët libanezë u shprehën se kjo është një shkelje masive e armëpushimit të nëntorit të kaluar. Një thirrje e djeshme e ushtrisë izraelite për evakuim, para nisjes së bombardimeve ka detyruar shumë banorë të lagjeve jugore të kryeqytetit libanez, që të ikin për të mbijetuar.
Sulmi që ushtria izraelite e ka përshkruar si “operacion në fabrikat nëntokësore të dronëve të Hezbollahut”, ndodhi në prag të festës së Kurban Bajramit, një prej ditëve më të rëndësishme në kalendarin e myslimanëve.
Sulmi është kryer gjashtë muaj pas arritjes së një armëpushimi mes dy palëve, me qëllim dhënien fund të armiqësive mes Izraelit dhe Hezbollahut, grup që siç dihet gëzon përkrahjen e Iranit.
Nuk do të ketë qetësi në Bejrut dhe as stabilitet në Liban, pa siguri për shtetin e Izraelit, vuri në dukje ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz përmes një deklarate.
Marrëveshja duhet të zbatohet dhe nëse nuk bëni atë që ju kërkohet, ne do të vazhdojmë të veprojmë me forcë edhe më të madhe.
Sipas marrëveshjes së ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara dhe Franca, Libani është zotuar për çarmatosje të Hezbollahut, grup që dikur konsiderohej se ishte më i armatosur se vetë shteti libanez.
Hezbollahu pati nxitur armiqësitë mes dy palëve që kanë zgjatur me muaj të tërë, duke kryer sulme në veriun e Izraelit, si shenjë solidariteti me grupin palestinez Hamas, gjithashtu i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe nga Bashkimi Europian pas sulmeve të 7 tetorit të vitit 2023.
Lufta ka rezultuar me një dobësim të konsiderueshëm të Hezbollahut dhe me vrasje të komandantëve të lartë, përfshirë liderin i cili drejtonte prej shumë kohësh, Hassan Nasrallah.