Bota

Japonia miraton derdhjen në det të ujërave të centralit bërthamor të Fukushimës

Japonia miratoi planin për të hedhur në Oqeanin Paqësor më shumë se një milion tonë ujë të ndotur nga centrali i shkatërruar bërthamor i Fukushimës. Sasia do të trajtohet e hollohet në nivele të parrezikshme për njeriun, që rrezatimi të jetë nën ato të vendosura për ujin e pijshëm. Qeveria japoneze tha se puna për lëshimin e ujit që përdoret për të ftohur karburantin bërthamor pritet të fillojë brenda dy vjetësh.

Rreth 1.25 milion tonë ujë u ruajtën në rezervuarë në termocentralin bërthamor Fukushima, nga koha kur tërmeti shkatërrimtar i vitit 2011 shkaktoi shkrirjen e reaktorëve. Operatori Tokyo Electric Power vazhdon të injektojë ujë në tre reaktorë për t’i mbajtur të ftohtë.

Ndërsa lëshimi në det i ujit nga Fukushima pritet të marrë dekada, banorët e zonës, si dhe peshkatarë e ambjentalistë në Japoni e po ashtu Kina e Koreja e Jugut e kundërshtuan planin, bazuar në shqetësimet për sigurinë.

Por Agjencia Ndërkombëtare për Energjinë Bërthamore dha OK-ein e sqaroi se kjo është e ngjashme me procedurat që ndjekin impiantet bërthamore në botë për hedhjen e ujërave.

Gjithashtu, Departamenti Amerikan i Shtetit e mbështeti vendimin e Japonisë, të cilin e konsideron “në përputhje me standardet e pranuara në nivel global për sigurinë atomike”.