Bota

Javën e ardhshme, Andrzej Duda viziton vendin tonë në të parën vizitë të një presidenti polak në 20 vjet!

Presidenti i Republikës së Polonisë, Andrzej Duda do të vizitojë Shqipërinë në datat 10 dhe 11 maj. Kjo është e para vizitë në dy dekada që një kryetar i shtetit polak zhvillon në vendin tonë. Krahas Tiranës, Duda parashikon një ndalesë edhe në Krujë, për një vizitë të shkurtër në këtë qytet. Presidenti i Polonisë shoqërohet dhe nga sipërmarrës polakë. Me homologun Bajram Begaj do t’i drejtohen forumit të përbashkët ekonomik, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të biznesit nga të dy vendet.

Në njoftimin zyrtar të Presidencës thuhet:

Me ftesë të Presidentit të Republikës, Sh.T.Z. Bajram Begaj, më 10-11 maj 2023, do të zhvillojë një vizitë zyrtare në Shqipëri, Presidenti i Republikës së Polonisë, Sh.T.Z. Andrzej Duda, i cili do të shoqërohet në këtë vizitë edhe nga Zonja e Parë e Polonisë, Agata Kornhauser-Duda.

Kjo është vizita e parë zyrtare pas 20 vitesh e një presidenti polak në Shqipëri.

Presidenti i Polonisë, Duda pritet të mbërrijë në Shqipëri, më 10 maj, ndërsa më 11 maj në orën 11:00 ai do të pritet me nderimet e rastit nga Presidenti Bajram Begaj, në Presidencë. Të dy presidentët do të zhvillojnë një takim të veçantë dhe më pas do të kryesojnë delegacioniet e të dy vendeve në një takim të zgjeruar.

Në pjesën e dytë të ditës, në orën 16:30, të dy presidentët do të marrin pjesë dhe do t’i drejtohen me mesazhe, forumit të përbashkët ekonomik që do të zhvillohet me pjesëmarrjen e sipërmarrjeve nga të dy vendet.

Presidenti Duda shoqërohet në këtë vizitë nga një përfaqësi sipërmarrësisht polakë, të organizuar nga Agjencia Polake e Investimeve dhe Tregtisë (PAIH).

Gjatë qëndrimit në Shqipëri, presidenti Duda do të zhvillojë edhe një vizitë të shkurtër në qytetin e Krujës.