Aktualitet

‘Shqipëria është model i harmonisë ndërfetare’, Begaj pret përfaqësuesit e Këshillave Ndërfetarë të Evropës…

Presidenti Bajram Begaj priti këtë të hënë në Presidencë përfaqësuesit e Këshillave Ndërfetarë të Evropës (Religions for Peace Europe), të cilët ndodhen në Tiranë në kuadër të Forumit Evropian “Shared Sacred Flourishing”.

Gjatë takimit, kreu i shtetit e cilësoi forumin një platformë të rëndësishme për forcimin e dialogut ndërfetar dhe promovimin e paqes, mirëkuptimit dhe bashkëpunimit mes komuniteteve fetare në Evropë.

“Shqipëria përbën një model të harmonisë, bashkëjetesës ndërfetare si dhe mikpritjes. Këto vlera janë pjesë e identitetit tonë dhe uroj që, gjatë qëndrimit tuaj, t’i prekni nga afër”, tha Begaj.

Presidenti u ndal edhe te periudha e diktaturës, duke theksuar se, megjithëse regjimi e shpalli Shqipërinë vendin e parë ateist në botë dhe shembi apo ndryshoi destinacionin e objekteve të kultit, nuk arriti të zhbënte besimin e shqiptarëve në Zot.

Begaj vlerësoi gjithashtu respektin për besimin e tjetrit si një nga vlerat e shoqërisë shqiptare, si edhe rolin e Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë në promovimin e dialogut dhe bashkëpunimit mes komuniteteve fetare.

Në përfundim të takimit, Presidenti tha se, në një kohë kur bota përballet me sfida, polarizim dhe konflikte, dialogu ndërfetar mbetet një instrument i rëndësishëm për ndërtimin e urave të besimit, solidaritetit dhe paqes, duke shtuar se Shqipëria do të vijojë të promovojë modelin e saj të harmonisë fetare dhe bashkëjetesës paqësore.