Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, dhe presidenti francez, Emmanuel Macron, zhvilluan një bisedë telefonike, ku për rreth një orë diskutuan mbi nevojat prioritare të mbrojtjes së Ukrainës, përfshirë forcimin e mbrojtjes ajrore, trajnimin e pilotëve për avionët luftarakë Mirage, furnizimin me raketa për sistemin SAMP/T dhe përdorimin e dronëve interceptues.
“Një bisedë shumë kuptimplotë me presidentin francez Emmanuel Macron. Diskutuam situatën në front dhe nevojat urgjente të mbrojtjes së Ukrainës,” shkroi Zelenskyy në rrjetet sociale.
Ai shtoi se Ukraina dhe Franca, së bashku me partnerët e tjerë ndërkombëtarë, po përgatisin vendime të përbashkëta për të ndërmarrë hapa të rinj në mbështetje të mbrojtjes kundër sulmeve ruse.
Zelenskyy vuri në dukje gjithashtu rëndësinë e ruajtjes së presionit të vazhdueshëm ndërkombëtar ndaj Moskës, duke falënderuar Francën për mbështetjen e saj në paketën e 18-të të sanksioneve të Bashkimit Evropian kundër Rusisë.
Nga ana e tij, presidenti Macron theksoi se siguria dhe e ardhmja e Evropës janë të lidhura ngushtë me fatin e Ukrainës. Ai konfirmoi mbështetjen e palëkundur të Francës për popullin ukrainas dhe nënvizoi rëndësinë e një presioni të koordinuar ndërkombëtar për të çuar drejt një armëpushimi dhe një paqeje të qëndrueshme.
“Sulmet ruse duhet të ndalen menjëherë. Në kohë sprovash dhe në kohë shprese, Franca është dhe do të mbetet në anën e Ukrainës,” përfundoi presidenti francez.