Bota

“Përvëlohet” Franca me temperatura rekord, ndërprerje të energjisë elektrike mes valës së të nxehtit

Dhjetëra mijëra shtëpi në Francën perëndimore kanë mbetur pa energji elektrike të mërkurën, ndërsa vendi përballet me një valë rekord të të nxehtit që pritet të arrijë kulmin gjatë ditës.

Autoritetet njoftojnë se rreth 68,000 shtëpi në Bretanjë janë prekur dhe rikthimi i plotë i energjisë pritet jo më herët se mbrëmja.

Ndërkohë, më shumë se gjysma e Francës është nën alarm të kuq për vapë, me temperatura që mund të arrijnë deri në 43°C në jugperëndim. Në qytetin Pissos, në rajonin Landes, janë regjistruar deri në 44.3°C, një nga vlerat më të larta të kësaj vale të nxehti.

Shërbimi meteorologjik Meteo France thotë se vendi përjetoi të martën ditën më të nxehtë të regjistruar ndonjëherë, me një mesatare kombëtare prej 29.8°C, si dhe natën më të nxehtë të regjistruar ndonjëherë, me 29.9°C.

Vala e të nxehtit është përhapur në pjesë të tjera të Evropës Perëndimore, ku Holanda dhe Mbretëria e Bashkuar janë nën alarme për temperatura ekstreme, ndërsa në disa zona të Britanisë priten deri në 38°C. Në Evropën Qendrore dhe Lindore, vende si Polonia, Kroacia dhe Hungaria janë gjithashtu nën paralajmërime të forta.

Autoritetet raportojnë se të paktën 40 persona kanë humbur jetën në Francë në incidente të lidhura me të nxehtin që nga java e kaluar. Ndërkohë, alarmet e kuqe në vend janë zgjeruar në 58 rajone, ndërsa 31 të tjera mbeten nën alarm portokalli.

Sipas parashikimeve, vala e të nxehtit pritet të vazhdojë edhe në ditët në vijim, duke u zhvendosur gradualisht drejt Evropës Lindore.