Jennifer Lopez vazhdon të dominojë Javën e Modës Haute Couture në Paris, ndërsa paraqitja e saj e fundit me motrën, Lynda Lopez, tërhoqi menjëherë vëmendjen e mediave dhe fansave.
Ylli 56-vjeçar u shfaq në shfaqjen e Celia Kritharioti me një fustan transparent të zbukuruar me kristale shumëngjyrëshe dhe një dekolte të theksuar, të cilin e kombinoi me një pallto të bardhë me pupla, taka argjendi dhe një çantë elegante të bardhë. Pamja e saj u bë një nga më të komentuarat e ditës në Paris.
Në krah të saj ishte motra më e vogël, Lynda Lopez, e cila zgjodhi një fustan të bardhë elegant me dekolte të thellë dhe aksesorë në nuanca të lehta. Edhe pse u vlerësua për stilin e saj, ishte Jennifer ajo që rrëmbeu gjithë vëmendjen me paraqitjen e guximshme.

Dalja e përbashkët e motrave vjen në një periudhë të ngarkuar për Jennifer, e cila prej disa ditësh po merr pjesë në eventet më prestigjioze të Javës së Modës në Paris. Dyshja është parë së bashku në disa sfilata dhe evente ekskluzive, duke treguar lidhjen e tyre të ngushtë familjare.
Jennifer ka folur edhe më herët për raportin e veçantë me motrat e saj, duke pranuar se një nga gjërat që i mungonte më shumë kur u transferua në Los Angeles ishte pikërisht afërsia me to.
Lynda, e cila është gazetare dhe producente televizive, ka qenë ndër mbështetëset më të mëdha të artistes dhe madje ka punuar si asistentja e saj ekzekutive gjatë xhirimeve të filmit “Hustlers”.
Pas paraqitjes në sfilata, Jennifer dhe Lynda morën pjesë edhe në një darkë festive në Paris, ku këngëtarja nisi festimet për ditëlindjen e saj të 57-të, që do ta festojë më 24 korrik, e rrethuar nga familjarë dhe miq të afërt.