Rafineritë në Gjirin Persik dhe në Rusi janë goditur nga pasojat e luftërave, ndërsa konsumi global ka mbetur i lartë.
Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë ka paralajmëruar për vështirësi në furnizimin me benzinë dhe naftë, për shkak të ndikimit të luftërave mbi rafineritë në Lindjen e Mesme dhe në Rusi.
Kufizimet ndaj transportit detar përmes Ngushticës së Hormuzit, që prej sulmeve të Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit ndaj Iranit në shkurt, kanë bërë që rafineritë e Gjirit të mos mund ta transportojnë prodhimin e tyre, duke i detyruar të reduktojnë veprimtarinë.
Në të njëjtën kohë, konsumi global i benzinës ka mbetur i lartë, pasi qeveritë kanë marrë masa për t’i mbrojtur konsumatorët nga çmimet e larta në pikat e karburantit.
Si rezultat, tërheqjet nga rezervat e industrisë kanë tejkaluar ritmet normale, thuhet në një raport të IEA-së, të publikuar sot.
Nëse kjo prirje vazhdon dhe rafineritë vijojnë të pengohen nga konfliktet, furnizimet me benzinë do të mbeten të kufizuara gjatë kësaj vere, thuhet në raport.
Çmimet kryesore të naftës bruto ranë pasi Uashingtoni dhe Teherani nënshkruan më 17 qershor një memorandum mirëkuptimi për zgjatjen e armëpushimit.
Çmimet e shumicës së produkteve të rafinuara gjithashtu ranë, por në një masë më të vogël, duke e çuar diferencën mes kostos së lëndës së parë të rafinerive dhe vlerës së produkteve të përpunuara në nivelin më të lartë të katër viteve, në fillim të këtij muaji.
Çmimet e naftës u rritën këtë javë pasi Shtetet e Bashkuara dhe Irani shkëmbyen sërish sulme ushtarake, ndërsa presidenti amerikan Donald Trump tha se sipas tij, armëpushimi i brishtë kishte “marrë fund”.
IEA deklaroi se perspektiva për furnizimet globale me naftë do të përkeqësohej ndjeshëm nëse transporti përmes Ngushticës së Hormuzit do të ngadalësohej sërish deri pranë një ndalimi të plotë.
Ndërkohë, Ukraina ka intensifikuar sulmet ndaj rafinerive ruse të orientuara drejt eksportit të naftës dhe në një masë më të vogël, të benzinës. Të mërkurën, Moska ndaloi eksportet e naftës, në përpjekje për të frenuar një krizë të brendshme karburantesh të shkaktuar nga sulmet ndaj infrastrukturës së saj./Monitor