Së fundmi, zhvilluesit iranianë të lojërave po përballen me një sërë reagimesh të ashpra në internet mbi një videolojë, në të cilën objektivi është të shpëtohet jeta e George Floyd. E quajtur “Save The Freedom”, loja celulare bazohet në vrasjen e Floyd nga oficeri i policisë Derek Chauvin në Minesota në maj 2020, një incident që nxiti protesta në mbarë botën.
Loja u zhvillua gjatë vitit të kaluar nga forcat paraushtarake Basij të Iranit, një degë e Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike me urdhër të gjeneralit të IRGC-së, Mohammad Reza Naghdi. Ai e kishte shprehur idenë në një konferencë dixhitale të Basij në shtator 2020, duke propozuar një lojë ku lojtarët shpëtojnë këtë qytetar me ngjyrë nga policia amerikane.

Lojëtarët kalojnë përmes 30 niveleve të vështirësisë, duke u përballur me armiq që me sa duket, po përpiqen të vrasin George Floyd. “Save the Freedom” shkaktoi një reagim të ashpër në mediat sociale, ku shumë njerëz e quajtën lojën “të sëmurë” dhe “të neveritshme”.
Një komentues i tmerruar u shpreh se:
Kjo është një shaka në të vërtetë? A mund ta konfirmojë dikush këtë për mua?
Dikush tjetër tha:
Kjo është shumë e sëmurë. A ka ndonjë gjë nga e cila njerëzit nuk do të përpiqen dhe të përfitojnë?

Fatkeqësisht, kjo nuk është hera e parë që dikush tenton të fitojë para nga vrasja e George Floyd. Në qershor 2020, Amazon bëri një postim për një bluzë për fëmijë ku shfaqej Derek Chauvin i gjunjëzuar në qafën e George Floyd.
Rikujtojmë, se pas vrasjes së Floyd, ka patur protesta solidarizimi në të gjithë botën. Mijëra protestues kanë demonstruar rrugëve të qytetit të tyre duke brohoritur një nga shpehjet e fundit të viktimës me ngjyrë të policisë amerikane: ‘Nuk marr dot frymë’. Artistët në botë gjithashtu kanë reaguar me punime të ndjera që tentojnë të kujtojnë, provokojnë dhe të shërojnë plagët e padrejtësisë.