Aktualitet Bota

“Jo veto për zgjerimin”, dokumenti ‘non-paper’ i Sllovenisë dhe Gjermanisë pro Ballkanit…

Sllovenia dhe Gjermania kanë përgatitur një dokument non-paper në të cilin parashikohet që në procesin e para-anëtarësimit të mos ketë mundësi vetoje dhe bllokimi për shkak të çështjeve bilaterale me vendet fqinje.

Pohimi vjen nga  Ministrja Sllovene Punëve të Jashtme dhe Europiane, Tanja Fajon.

Fajon ka shpjeguar në një intervistë për agjencinë e lajmeve MINA se kjo është një nismë për të përshpejtuar të gjithë procesin e zgjerimit e atë të para-anëtarësimit, në mënyrë që të mos ketë shumë mundësi frenimi të fqinjëve për shkak të çështjeve dypalëshe dhe për të shfrytëzuar mundësinë e votimit me shumicë të cilësuar.

Duke folur për vendet e Ballkanit Perëndimor në tërësi, Fajon vuri në dukje se Sllovenia është e para në mbështetjen e zgjerimit në rajon.

“Këta janë fqinjët tanë, janë vende që kanë qenë gjithmonë pjesë e Europës në të kaluarën dhe do të jenë gjithmonë pjesë e saj dhe në të ardhmen. Kjo është arsyeja pse ne ofrojmë mbështetje për të gjithë në procesin e reformave. Është e rëndësishme për ne që të gjitha vendet të punojnë për t`u bërë një ditë anëtarë të BE-së”, tha Fajon.

Kryediplomatja sllovene nënvizoi se sa më shpejt t`i plotësojë një vend kushtet, aq më parë do të bëhet pjesë e Bashkimit Europian.

“Mendimi im është se çdo vend është individual. Vetë reformat dhe hapja dhe mbyllja e negociatave nuk janë shumë proces teknik, por më shumë politik”, pohoi Fajon.