Kosova mbetet i vetmi vend që nuk ka rekomandim për statusin e kandidatit. Zyrtarët europianë thanë se dialogu me Serbinë është rruga përpara për Kosovën drejt BE-së. Në konferencën në Bruksel, presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, tha se zbatimi i marrëveshjes për krijimin e Asociacionit të komunave serbe, mund të jetë hap i madh para për Kosovën.
Edhe pse Kosova ka aplikuar për anëtarësim në BE, eurokomisioneri për Zgjerimin, Oliver Varhelyi, tha se Këshilli ende nuk ka kërkuar nga komisioni që për këtë të japë opinion. “Për Kosovën, rruga drejt Unionit po vjen përmes një dialogu të suksesshëm. Prishtina duhet t’i dyfishojë përpjekjet për ta bërë dialogun të suksesshëm”, – shtoi Varhelyi.
Në takimin e kolegjit të 27 komisionerëve europianë, sot u miratua paketa e zgjerimit, së bashku me raportet individuale të progresit për të gjitha shtetet e përfshira në këtë proces. Komisioni Europian rekomandoi nisjen e negociatave të anëtarësimit me Ukrainën e Moldavinë, si dhe dhënien e statusit të vendit kandidat për Gjeorgjinë.
Po ashtu, Brukseli zyrtar rekomandoi hapjen e negociatave të anëtarësimit të Bosnje e Hercegovinës me Bashkimin Europian kur të arrihet shkalla e nevojshme e dakordësisë me kriteret për anëtarësim. Komisioni do t’i raportojë Këshillit deri në mars të 2024-ës për çdo progres.
Përpjekjet për të arritur dakordësi, që edhe për Bosnje e Hercegovinën të rekomandohet nisja e negociatave kishin hasur në kundërshtime, gjatë takimit të shefave të kabineteve të zhvilluar dje. Në këtë takim, zakonisht dakordësohet teksti final, para se të miratohet.
Për herë të parë, raportet e progresit u miratuan për dhjetë shtete që janë në këtë proces, mes tyre për gjashtë të rajonit të Ballkanit Perëndimor si Kosova, Shqipëria, Serbia, Maqedonia e Veriut, Bosnje e Hercegovina dhe Mali i Zi. Gjithashtu për Moldavinë, Gjeorgjinë e Ukrainën. Raport Progresi ende hartohet për Turqinë, që formalisht ende ka statusin e vendit kandidat.
Në procesin e zgjerimit, Komisioni Europian bën vlerësime dhe jep rekomandime, ndërsa vendimet formale miratohen në Këshillin Europian nga liderët e vendeve anëtare që vendosin me unanimitet.
Rekomandimet dhe raportet e miratuara sot në Komisionin Europian do të jenë në rend dite në takimin e radhës së Këshillit Europian, që do të mbahet në dhjetor. Sa u përket raporteve të progresit për shtetet e Ballkanit Perëndimor, dje Radio Evropa e Lirë publikoi përmbajtjen e disa drafteve.
Në Raportin e Progresit për Kosovën, në shumicën e fushave që vlerësohen, Komisioni Europian ka thënë se vendi shënoi “përparim të kufizuar”.