Policia vuri në pranga një 37-vjeçar i kërkuar nga autoritetet spanjolle pasi gjykata e Malagës i ka caktuar “Arrest me burg” për kultivim të bimëve narkotike. Shtetasi me iniciale GJ.C alias GJ.K u prangos në Tiranë gjatë një operacioni. Pas kapjes së tij nga policia shqiptare pritet ekstradimi drejt Spanjës. Sipas njoftimit zyrtar, Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Madridin, do të kryejë procedurat për ekstradimin e këtij shtetasi.
Njoftimi i plotë i policisë:
Akuzohet nga Gjykata e Malagës, për kultivim të bimëve narkotike, kapet në Tiranë dhe arrestohet me qëllim ekstradimin në Spanjë, 37-vjeçari.
Në vijim të operacioneve të zhvilluara nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale në Departamentin e Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit, për lokalizimin, kapjen dhe ndalimin e shtetasve të shpallur në kërkim, bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, u finalizua operacioni i radhës, i koduar “Operacionalja 76”.
Gjatë këtij operacioni, u kap në Tiranë, shtetasi i shpallur në kërkim ndërkombëtar: Gj. C. alias Gj. K., 37 vjeç, banues në Tiranë. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gykata e Malagës, Spanjë, me vendimin e datës 14.11.2025, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”. Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Madridin, do të kryejë procedurat për ekstradimin e këtij shtetasi”