Popullsia e botës pritet të arrijë në tetë miliardë banorë më 15 nëntor të këtij viti, siç parashikojnë Kombet e Bashkuara. Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, u shpreh:
Kjo na kujton përgjegjësinë e përbashkët për t’u kujdesur për planetin tonë. Eshtë një moment për të reflektuar se ku nuk i kemi përmbushur ende angazhimet ndaj njëri-tjetrit.
Parashikimi i Departamentit të OKB-së për Çështje Ekonomike dhe Sociale thotë se popullsia e botës po rritet me ritmin më të ngadaltë që nga viti 1950. Pritet të arrijë në 8.5 miliardë banorë më 2030-ën e në 9.7 miliardë më 2050-ën. Sipas raportit, popullsia do të kulmojë në rreth 10.4 miliardë njerëz më 2080-ën e do të qëndrojë në atë nivel deri në vitin 2100. Parashikimet janë që India ta kalojë Kinën si vendi më i populluar në botë vitin e ardhshëm.
Në vitin 2020, shkalla e rritjes së popullsisë botërore ra nën 1% në vit, për herë të parë që nga 1950-a. Pavarësisht dallimeve rajonale, në këtë fenomen, John Wilmoth, drejtor i Divizionit të Popullsisë së Kombeve të Bashkuara, sheh mundësi për vendet në zhvillim. Përveç luftës kundër varfërisë e urisë, mund të ketë përfitime në arsim, sepse më pak fëmijë do të thotë më shumë vëmendje për të mitur.
Me zvogëlimin e madhësisë mesatare të familjes, bëhet e mundur që të dyja, si familja ashtu edhe shoqëria, të investojnë më shumë në secilin fëmijë e të rrisin cilësinë e arsimit. Gjithashtu, të zhvillojnë kapitalin njerëzor të popullsisë.
OKB vlerëson:
Në të njëjtën kohë, niveli më i ulët i lindjeve nënkupton një plakje të popullsisë së përgjithshme dhe një përqindje më të lartë të njerëzve në një moshë ku ata kanë nevojë për ndihmë. Kjo do të ndikohet gjithashtu nga një rritje e jetëgjatësisë nga 72.8 në 2019 në 77.2 në 2050.
Gjithnjë e më shumë vende me të ardhura të larta do të rrëshqasin në tendenca negative demografike, siç ka bërë tashmë Japonia sot. Për të ruajtur një normë të qëndrueshme rritjeje, vende si Gjermania do të duhet të mbështeten te emigracioni.
Më shumë se gjysma e rritjes së popullsisë së botës në dekadat e ardhshme do të përqendrohet në tetë vende që janë: Republika Demokratike e Kongos, Egjipti, Etiopia, India, Nigeria, Pakistani, Filipinet e Tanzania.