Nga FIFA në OKB. Donald Trump ka plane të mëdha për mikun Gianni Infantino, duke pasur parasysh marrëdhënien e tyre të ngushtë, veçanërisht gjatë Kupës së Botës 2026. Sipas New York Post-it, presidenti amerikan do të donte të nominonte kreun e FIFA-s për postin e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së. Mandati i Guterres-it skadon në fund të vitit.
Ai ka një aftësi të veçantë për të bashkuar njerëzit.
Trump e vlerëson shumë Infantinon dhe anasjelltas. Po ashtu, 56-vjeçari ka treguar se është shumë i vëmendshëm ndaj kërkesave të presidentit amerikan në situata të caktuara, siç qe telefonata pas pezullimit të sulmuesit amerikan Folarin Balogun, duke vënë precedent historik shumë të rrezikshëm për futbollin.
Referuar një burimi pranë Trump-it, shefi i Shtëpisë së Bardhë beson se Infantino “respektohet nga të gjithë në botë dhe ka një aftësi të veçantë për të bashkuar njerëzit”.
Këto karakteristika do ta bënin atë pasardhësin perfekt të Antonio Guterres-it të Portugalisë, i cili largohet në fund të vitit, madje shumë më tepër se shefin e IAEA-s, Grossi dhe ish-kryeministren kiliane Bachelet.
Ka një problem
Këtë herë, posti i Sekretarit të Përgjithshëm do t’i takonte Amerikës Latine. Infantino është zviceran, pra europian, si udhëheqësi aktual, Guterres dhe do të ishte shumë e pazakontë që një kontinent të mbajë dy mandate radhazi.
Por, duke u kthyer pas në kohë, një gjë e ngjashme ka ndodhur në Afrikë midis Ghali-t dhe Annan-it, pikërisht sepse SHBA-të kishin bllokuar konfirmimin e egjiptianit.
Megjithatë, duhet theksuar se shefi i OKB-së duhet të miratohet nga Këshilli i Sigurimit, ku Trump do të duhej të bindte Kinën e Rusinë që ta mbështesnin.