Bota

Kim Jong Un takohet me Moon Jae-in

Takim historik mes dy Koreve, Kim Jong Un flet për fillimin e një historie të re, pas ndarjes 65-vjeçare. Deri pak muaj më parë ishin raketat koreano-veriore që kalonin territorin e Koresë së Jugut, por nga sot është ndryshe. Lideri i Koresë komuniste bëri hapin e madh duke kaluar shkallën  ndarëse të kufirit në Panmunjom për të hyrë atje. Më pas një shtrëngim i gjatë duarsh me presidentin koreano-jugor Moon Jae-in, i cili i ktheu vizitën duke shkelur në Veri.

Pas pjesës ceremoniale priten me interes rezultatet e bisedimeve ndërmjet liderëve të Koreve, në Shtëpinë e Paqes. Në fokus janë diskutimet për denuklearizimin e Gadishullit Korean që të vendoset paqe e qëndrueshme, si dhe të zhvillohen marrëdhëniet mes dy Koreve. Ndërkaq, Shtëpia e Bardhë reagoi dhe uroi që bisedimet të sjellin paqe. Edhe Japonia shfaqi shpresën për zgjidhjen e krizës.