Pas dy humbjeve radhazi në kampionat, ndaj Udineses dhe Juventusit, Interi kërkon ringritjen në arenën europiane. Në “Johan Cruyff Arena” të Amsterdamit, zikaltërit përballen me Ajaksin në ndeshjen e parë të fazës së ligës të Champions League, një sfidë që përkon edhe me debutimin e Kristian Kivut si trajner në këtë kompeticion prestigjioz. Konferenca e zakonshme për shtyp, e parashikuar për orën 19:00, u shty për shkak të vonesave të fluturimit, por Kivu u paraqit i qartë dhe i vendosur për të mbrojtur ekipin dhe zgjedhjet e tij.
LEXO EDHE: Mungon vetëm zyrtarizimi, Murinjo rikthehet si trajner në Champions!
“Skuadra është e fortë dhe e ka treguar këtë, edhe pse rezultati ndaj Juventusit nuk na favorizoi. Mungon vetëm pak vazhdimësi, por besoj se jemi në rrugën e duhur. Duhet të rrisim moralin dhe të shfrytëzojmë energjinë e Championsit për t’u ringritur”, tha trajneri rumun. Në qendër të vëmendjes është gjendja e Lautaro Martinez, kapiteni zikaltër, i cili do të vlerësohet vetëm pak orë para ndeshjes. “Do të shohim nesër nëse do ta kemi në dispozicion”, u shpreh Kivu.
Një tjetër temë e nxehtë është ajo e portës. Pas kritikave të fundit ndaj Jan Zomer, tekniku u shfaq i prerë: “Nuk kam asnjë arsye për ta ndryshuar. Zomer është një profesionist që e ka treguar vlerën e tij. Nuk më duket e drejtë të ndikohemi nga opinioni publik. Të gjithë portierët tanë kanë vlerë, por tani ekipi ka nevojë për stabilitet.” Kivu foli edhe për lidhjen e tij me Ajaks, klub ku luajti për vite dhe ku u formua si lojtar.
“Ky vend më ka dhënë shumë, më ndihmoi të rritesha si sportist dhe si njeri. ADN-ja e Ajaks mbetet tek unë, por tani jam pjesë e Interit dhe fokusi im është të udhëheq këtë skuadër drejt rezultateve të mëdha.” Përballë një Ajaksit të ri, por gjithmonë të rrezikshëm, trajneri kërkon vëmendje maksimale. “E dimë që kombinimi i rinisë me përvojën është një armë e fortë për ta. Ata kanë shpejtësi, organizim dhe e njohin mirë kulturën e tyre futbollistike. Ne nuk duhet të shohim përtej kësaj ndeshjeje. Champions-i nuk fal.”
Në Amsterdam pritet një sfidë e fortë dhe plot emocione. Interi hyn në fushë me detyrimin për të lënë pas hapat fals të kampionatit dhe për të dhënë sinjal në Europë. Për Kivun është testi i parë i madh si trajner në skenën më të rëndësishme të futbollit.