I ftuar në “Live From Tirana” me Ronaldo Sharkën, ka qenë gazetari Flavio Qarri. Ai ka folur më shumë mbi patriotizmin dhe atdhedashurinë…
Ka personazhe publikë që shkojnë në Serbi për ta vizituar dhe marrin një lumë komentesh negative. Si e sheh këtë?
E para, është ndjeshmëria shumë e madhe. Por unë do të doja të shkoja në Serbi, do të doja të shkoja në Sanxhak, do të doja të shkoja në Preshevë, do të doja të shkoja në Medvegjë, në Bujanovc. Serbi janë ato, por janë shqiptarë. Një nga gjërat që mua më bën më shumë përshtypje, që dallimi midis shqiptarëve të Shqipërisë dhe Kosovë, është që shqiptarët e Kosovës kanë një ndjeshmëri të llahtarshme në raport me Ballkanin. E njohin në mënyrë kapilare, edhe tregtarët, edhe qytetarët e zakonshëm. Ndërsa shqiptarët e Shqipërisë, edhe për shkak të trashëgimisë komuniste, janë ultra të izoluar tek ne dhe sytë nga Evropa, vetëm për të ikur.