Me 9 votat e maxhorancës, Komisioni i Ligjeve rrëzoi kërkesën e Partisë Demokratike për shkarkimin e Presidentit të Republikës, Bajram Begaj. Ky raport do t’i dërgohet seancës plenare. Deputeti demokrat Gjin Gjoni renditi disa nga shkeljet që sipas tij ka kryer Begaj gjatë ushtrimit të detyrës.
Ai tha se dekreti për zgjedhjet e pjesshme në Bashkinë Tiranë ishte “anti-kushtetues” dhe shtoi se presidenti “mori kompetencat e sistemit gjyqësor dhe ka shkaktuar konfuzion te zgjedhësit”.
Gjoni vuri në dukje se Begaj nuk mund të vijojë më të jetë kryetar i Shtetit dhe përfaqësues i unitetit kombëtar.
Grupi i PD-së ka paraqitur kërkesën për fillimin e procedurës parlamentare për shkarkimin e Presidentit Begaj. Ne jemi të bindur se Begaj nuk mund të vazhdojë të jetë kryetar i shtetit dhe përfaqësues i unitetit të popullit. Kemi arritur në konkluzionin që Begaj ka konsumuar 7 shkelje të Kushtetutës dhe ligjit, mjaftueshëm për ta shkarkuar.
Konkretisht shkeljet e rënda të Kushtetutës nga Begaj janë si vijon:
Dekreti antikushtetues për zgjedhjet në Bashkinë Tiranë. Në kundërshtim me Kushtetutën, Begaj dekretoi zgjedhje të pjesshme vendore në Bashkinë e Tiranës, pa u krijuar nga pikëpamja kushtetuese vakanca.
Ka futur në ngërç kushtetues zgjedhjet në Bashkinë e Tiranës. Ka minuar legjitimitetin e tyre, duke shkaktuar konfuzion te zgjedhësit. Ka marrë kompetencat e sistemit gjyqësor, tha ndër të tjera Gjoni.