Aktualitet Politikë

Komisioni i Ligjeve diskuton kërkesën e PD-së për shkarkimin e Begajt!

Sot në mbledhjen e Komisionit për Çështjet Ligjore dhe Administratës Publike në Kuvend e që nis në orën 10:00 do të diskutohet kërkesa e Partisë Demokratike lidhur me shkarkimin nga detyra të Presidentit të Republikës, Bajram Begaj, me akuzën se ka shkelur rëndë Kushtetutën.

Më 15 tetor, demokratët depozituan  në Kuvend kërkesën për shkarkimin duke renditur 7 shkelje, nga dekretimi i zgjedhjeve në Tiranë, kërkesa e presidentit në Kushtetuese për sqarimin e mandatit të anëtarëve të kësaj gjykate, dekretimi i Diellës si ministre, dekretimi i ligjit për komisionet hetimore, si edhe akuzat se lejoi përfshirje të trupës diplomatike dhe kabinetit të tij në zgjedhje. Për PD-në janë arsye që Begaj të mos jetë më në krye të shtetit.

Po ashtu, PD-ja pretendon se Begaj rezulton i punësuar në një klinikë private në Tiranë, si edhe ka favorizuar një kompani sigurimesh duke i dhënë tenderët e Presidencës dhe se në këmbim i ka punësuar djalin fiktivisht.

Shkarkimi i Presidentit të Republikës, sipas nenit 90 të Kushtetutës së vendit, bëhet vetëm për shkelje të rënda të ligjit themelor dhe për kryerjen e një  krimi të  rëndë.  Propozimi  për  shkarkimin  e  Presidentit  bëhet nga të paktën 35 deputetë e duhet miratuar në seancë plenarë nga të paktën 94 ligjvënës.

Por, shkarkimi i mundshëm nga Kuvendi, në të gjitha rastet i dërgohet Gjykatës Kushtetuese, që vërteton  fajësinë dhe deklaron shkarkimin e Presidentit nga detyra.

7 shkeljet që opozita pretendon se janë kryer nga presidenti Bajram Begaj:

Dekretoi zgjedhje në Tiranë, në shkelje të Kushtetutës

Ndërhyri në mandatin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, i preku pavarësinë

Dekretoi në shkelje ligjin për Komisionet Hetimore

Dekretoi ministren virtuale Diella

Nuk ndali trupën diplomatike nga përfshirja në fushatën e vitit 2025

Kabineti i tij ndërhyri në procesin e administrimit të zgjedhjeve

I biri i punësuar fiktivisht në një kompani private sigurimesh që përfiton tendera nga presidenca

Vetë Begaj i punësuar në një klinikë private