Sali Berisha sot zhvilloi një takim me delegacionin e Komisionit të Venecias, ku u diskutua për financimin e partive politike dhe procesin zgjedhor në Shqipëri.
Pas takimit, kryetari demokrat deklaroi se financimi i partive është problemi kryesor i zgjedhjeve. Sipas tij, diferenca mes opozitës dhe partisë në pushtet ka qenë shumë e lartë.
Sipas Berishës, gjatë fushatës janë organizuar mijëra aktivitete me fonde publike, ndërsa përmendi edhe “Giro d’Italia”-n.
Ndërkaq, akuzoi qeverinë edhe për shpërndarje fondesh për pensionistët e falje detyrimesh financiare gjatë periudhës elektorale, duke e cilësuar si ndikim mbi votën.
Çështja e financimit të partive është më themelorja e procesit zgjedhor dhe provuam me fakte që në këto zgjedhje, në rrafshin e financimit nga buxheti, diferenca mes financimit të dy partive, PD-PS, ka qenë 700-1000 herë.
Partia në pushtet organizoi në kohën e ndaluar nga ligji 4530 ngjarje me një kosto nga disa qindra euro në 7 milion euro para buxheti, siç ishte “Giro d’Italia” një ditë para zgjedhjeve. U dha pensionistëve nga buxheti 100 euro dhuratë, dhuratë për votë.
Kreu i PD-së ngriti shqetësime edhe për institucionet zgjedhore e drejtësinë. Ai tha se KQZ-ja dhe SPAK-u janë të politizuara e nuk kanë trajtuar siç duhet ankesat e opozitës.
Sipas Berishës, nevojiten institucione më të pavarura dhe objektive për garantimin e një procesi të drejtë zgjedhor.