Konfuzioni, çorientimi dhe ndryshimet e papritura të sjelljes pas një operacioni nuk duhet të konsiderohen gjithmonë si pasoja të zakonshme të anestezisë apo lodhjes. Një studim i ri sugjeron se këto simptoma mund të jenë sinjale të rëndësishme për shëndetin afatgjatë të trurit.
Studiues nga “Brigham and Women’s Hospital”, “Mass General Brigham”, “Hebrew SeniorLife dhe Brown University” kanë zbuluar se deliriumi pas operacionit lidhet ngushtë me përkeqësimin e kujtesës, përqendrimit dhe aftësive njohëse te të moshuarit.
Gjetjet janë publikuar në revistën shkencore JAMA Internal Medicine. Deliriumi është një gjendje e përkohshme konfuzioni dhe çorientimi që shfaqet shpesh pas ndërhyrjeve kirurgjikale, veçanërisht te personat mbi moshën 70 vjeç. Edhe pse simptomat mund të zgjasin vetëm disa orë ose ditë, studiuesit thonë se ndikimi i tij mund të vazhdojë për vite.
Në kuadër të studimit, ekspertët ndoqën 560 pacientë të moshuar që iu nënshtruan operacioneve të mëdha. Aftësitë e tyre njohëse u monitoruan për një periudhë deri në pesë vjet përmes një sërë testesh të kujtesës dhe të menduarit.
Rezultatet treguan se pacientët që kishin përjetuar delirium pas operacionit shfaqnin një rënie më të shpejtë të funksioneve njohëse krahasuar me ata që nuk kishin kaluar këtë komplikacion.
Sipas autores së studimit, dr. Tammy T. Hshieh, shkalla e rënies së kujtesës dhe aftësive mendore ishte më e madhe sesa ajo që vërehet zakonisht te personat me dëmtime të lehta njohëse.
Studiuesit analizuan gjithashtu nëse faktorë të tjerë, si rehospitalizimet, qëndrimet në kujdes intensiv apo problemet e tjera shëndetësore, mund ta shpjegonin këtë përkeqësim. Megjithatë, ata zbuluan se këta faktorë nuk e shpjegonin plotësisht ndikimin e deliriumit në trurin e pacientëve.
Ekspertët paralajmërojnë se deliriumi shpesh ngatërrohet me lodhjen e zakonshme pas operacionit ose me harresën që shoqëron moshën e tretë. Shenjat që duhet të tërheqin vëmendje përfshijnë konfuzionin e papritur, vështirësinë në përqendrim, çorientimin, ndryshimet e sjelljes, përgjumjen e pazakontë ose agjitacionin.
Mjekët theksojnë se njohja e hershme e deliriumit dhe masat parandaluese, si hidratimi i mirë, kontrolli i dhimbjes, gjumi cilësor dhe mobilizimi i hershëm pas operacionit, mund të luajnë rol të rëndësishëm në mbrojtjen e shëndetit të trurit.
Sipas studiuesve, mesazhi kryesor është i qartë: konfuzioni pas operacionit te të moshuarit nuk duhet të neglizhohet, pasi mund të jetë një sinjal i hershëm i rrezikut për përkeqësim të kujtesës dhe funksioneve njohëse në vitet që pasojnë.