Autoritetet kosovare dëbuan nga vendi dy pjesëtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë (MPB) disa orë pasi i arrestuan dje nën dyshimin për cënim të sigurisë kombëtare. Lajmin e konfirmuan avokatët e tyre për Radion Evropa e Lirë.
Nikolla Vujeviç e Mlladen Millojeviç u dëbuan dje në mbrëmje e të dyve iu ndalohet hyrja në Kosovë për pesë vjet, siç deklaruan avokatët e tyre Bogdan Laziç e Srgjan Mitroviç.
Vujeviç dhe Millojeviç ishin në mesin e katër pjesëtarëve të MPB-së serbe, njëri prej tyre në pension. Autoritetet kosovare konfirmuan vetëm arrestimin e Vujeviçit dhe qëllimin për dëbimin e tij, pasi ministri i Brendshëm në detyrë i Kosovës, Xhelal Sveçla, dje i hoqi shtetësinë kosovare duke thënë se është i rekrutuar nga institucionet e Inteligjencës dhe Sigurisë së Serbisë”.
Vujoviç përbën rrezik për sigurinë tonë kombëtare si pjesëtar i forcave policore të Serbisë.
Millojeviç ushtron detyrën e policit të Serbisë në Rashkë dhe vjen nga Leposaviçi, komunë me shumicë serbe në veri të Kosovës. Vujeviç, i cili është nga Zubin Potoku po ashtu në veri të Kosovës, paralajmëroi padi ndaj vendimit të autoriteteve kosovare për heqjen e shtetësisë.
Sipas ligjit për Shtetësinë në Kosovë, një person e humb shtetësinë nëse merret me veprimtari të cilat rrezikojnë sigurinë kombëtare të Kosovës; kur është qëllimisht anëtar i një organizate e cila ka për qëllim rrënimin ose dëmtimin e rendit kushtetues të Kosovës; kur është anëtar i shërbimit të inteligjencës ose i forcave policore të një shteti tjetër, pa pëlqim nga organet vendore dhe pa marrëveshje ndërkombëtare paraprake.
Sveçla tha:
Serbia po bën përpjekje sistematike për destabilizim të brendshëm të Kosovës, duke punësuar shtetas të Kosovës brenda institucioneve të saj të Sigurisë dhe Inteligjencës, akt ky në kundërshtim me ligjet tona dhe cënim i sigurisë sonë kombëtare.
Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë e dënoi vendimin e autoriteteve kosovare për arrestimin e pjesëtarëve dhe ish-pjesëtarit të MPB-së.
Autoritetet kosovare nuk kanë pasur asnjë arsye ligjore për arrestimin e tyre dhe kjo është hakmarrje e nxitur politikisht kundër popullit serb.
Arrestimi i tyre ndodhi pasi Serbia prangosi një ish-pjesëtar të Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës më 7 qershor në pikën kufitare ndërmjet Hungarisë e Serbisë, teksa kthehej nga Austria në Kosovë me autobus, bashkë me familjen.
Nga autoritetet serbe, Arbnor Spahiu dyshohet për “vrasje të rëndë në Banjskë”, ku një grup serbësh të armatosur sulmoi Policinë e Kosovës në shtator të vitit 2023, duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku. Mbrojtja e tij ka dorëzuar ankesën ndaj vendimit për paraburgimin njëmujor.