Qeveria e Kosovës e ka shpallur “organizatë terroriste” Korpusin e Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC). Vendimi u mor në mbledhjen e sotme në Prishtinë.
Kryeministri Albin Kurti tha:
Përmes këtij vendimi, Kosova e forcon qëndrimin e saj në mbrojtjen e sigurisë ndërkombëtare, vlerave demokratike dhe të drejtave të njeriut. Ky është rreshtim i qartë i Kosovës përkrah aleatëve të vet strategjikë në luftën e përbashkët kundër terrorizmit.
IRGC-në e përshkroi si “strukturë që e përdor terrorizmin dhe dhunën e organizuar si instrument të politikës së jashtme, duke kontribuuar në destabilizimin rajonal e global”.
Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike të Iranit është krahu ideologjik i ushtrisë së Teheranit dhe u krijua pas revolucionit të vitit 1979 për ta mbrojtur udhëheqjen klerikale.
Garda kontrollon ose zotëron kompani në gjithë ekonominë iraniane, përfshirë sektorë strategjikë kryesorë. Disa vende tashmë e kanë shpallur organizatë terroriste IRGC-në, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Rishtazi, Bashkimi Europian e shpalli “terroriste” kur Teherani i shtypi në mënyrë brutale protestat antiqeveritare në fillim të këtij viti. Organizatat për të drejtat e njeriut thanë se mbi 6.000 njerëz u vranë gjatë protestave në Iran.