Artistja shqiptare me famë botërore, Rita Ora, ka treguar edhe një herë mbështetjen e saj për mikeshën dhe kolegen Bebe Rexha, vetëm pak orë pasi kjo e fundit publikoi albumin e saj më të ri, Dirty Blonde.
Bebe Rexha lançoi të premten albumin e katërt të karrierës së saj, një projekt që shënon një moment të rëndësishëm në rrugëtimin artistik të këngëtares, pasi është albumi i parë që ajo publikon si artiste e pavarur, pas ndarjes nga shtëpia e saj e mëparshme diskografike.
Në një periudhë kaq të rëndësishme për çdo artist, Rita Ora nuk mungoi me përkrahjen e saj. Këngëtarja ndau në InstaStory kopertinën e albumit “Dirty Blonde”, duke i ftuar miliona ndjekësit e saj të dëgjojnë projektin më të ri muzikor të bashkëkombëses.
Gjestin e Rita Orës e pritën me entuziazëm fansat e të dy artisteve, të cilët prej vitesh ndjekin miqësinë dhe raportin e afërt mes dy yjeve shqiptare që kanë arritur sukses të madh në industrinë ndërkombëtare të muzikës.
Miqësia mes Rita Orës dhe Bebe Rexhës ka vite që vazhdon dhe është shoqëruar vazhdimisht me mbështetje reciproke për projektet muzikore dhe paraqitjet publike të njëra-tjetrës. Përveç raportit miqësor, ato kanë bashkëpunuar edhe në muzikë, duke qenë pjesë e hitit të njohur Girls, së bashku me Cardi B dhe Charli XCX.
Ndërkohë, “Dirty Blonde” po konsiderohet si fillimi i një kapitulli të ri për Bebe Rexhën. Albumi përmban 13 këngë dhe sjell një kombinim të tingujve dance-pop, elektronikë dhe rrëfimeve personale që pasqyrojnë përvojat e artistes gjatë viteve të fundit.
Mes projekteve më të komentuara të albumit është kënga “New Religion”, një bashkëpunim me Faithless, ndërsa pjesë e albumit është edhe “Sad Girls”, dueti i saj më i ri me David Guetta.
Me mbështetjen e Rita Orës dhe reagimet pozitive nga fansat në mbarë botën, “Dirty Blonde” duket se ka nisur me sukses rrugëtimin e tij në tregun ndërkombëtar të muzikës, duke shënuar një epokë të re në karrierën e Bebe Rexhës.