Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi bën të ditur se në Bruksel ka një dakordësi të plotë mbi faktin se do të jenë pesë kritere lidhur me statutin e Asociacionit të Komunave Serbe. Bislimi sqaroi se nëpërmjet tyre do të shihet nëse si bazë për diskutim është i pranueshëm drafti i statutit që propozohet nga ekipi menaxhues për formimin e Asociacionit.
E para, a parasheh ky draft një shtresë të re të qeverisjes, e nëse e parasheh nuk konsiderohet i pranueshëm për diskutim të mëtejmë. E dyta, a parasheh të drejta të drejta kolektive, nëse po, e merr epitetin e një drafti të papranueshëm”, tha ai në raportimin para Komisionit për Punë të Jashtme të Kuvendit të Kosovës.
Po ashtu, numri dy i qeverisë përmendi tre kritere të tjera.
Në çfarë mase është [drafti i statutin] në harmoni në marrëveshjet e 2013 dhe 2015 [për Asociacionin]”. Vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015 [për Asociacionin]. Si dhe, në ç’masë është në harmoni me letrën që [ish-Përfaqësuesja e Lartë, Federica] Mogherini, i ka dërguar Qeverisë se çfarë kompetenca mund të ketë Asociacioni.
Zëvendëskryeministri i Kosovës shtoi:
Këto janë pesë siguri të mjaftueshme që tregon se ky mekanizëm apo ky lloj vetëmenaxhimi nuk ka asgjë nga ajo që ne e kemi quajtur Zajednica [Asociacioni].
Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për Asociacionin në vitin 2013 dhe më pas më 2015-ën mbi parimet për themelimin e tij. Po më 2015-ën, Gjykata Kushtetuese e Kosovës doli në përfundimin se akordi nuk është në harmoni të plotë me Kushtetutën. Por, e njëjta gjykatë u shpreh se “ky asociacion mund të formohet nëse harmonizohen parimet që nuk janë në harmoni me Kushtetutën”.