Rajoni

Kosovë, arrestohet ministri i Zhvillimit Rajonal, Fikrim Damka!

Ministri aktual i Zhvillimit Rajonal të Kosovës, Fikrim Damka, si dhe një person tjetër u arrestuan mbrëmjen e djeshme, siç konfirmuan burime nga policia dhe nga Prokuroria e Prizrenit. Rasti ndodhi rreth orës 18:00 në Prizren dhe dy të dyshuarit për veprat penale “Sulm” e “Kanosje”, u arrestuan e gjithashtu u morën në pyetje. Ndaj tyre u vendos masa e ndalimit prej 48 orësh.

Kryeprokurori i Prizrenit, Petrit Kryeziu tha për Radion Evropa e Lirë se dy viktimat janë anëtarë të një partie turke, por akuzat nuk kanë lidhje me zgjedhjet e djeshme parlamentare, duke theksuar se “nuk është cënuar integriteti i votës dhe votimit të zgjedhjeve parlamentare”.

I kemi dy persona që janë ndaluar mbrëmë. Të dy janë për veprat penale “Sulm” dhe “Kanosje”. Janë dy viktima të dëmtuar, që janë kanosur. Fillimisht është sulmuar një nga viktimat që është grua dhe tjetri është burrë. Janë kanosur me jetë nga personat që janë të ndaluar, u shpreh Kryeziu.

Damka i përket Partisë Demokratike Turke të Kosovës, ndërsa dy personat që denoncuan, sipas Kryeziut, ishin nga Partia Turke e Lëvizjes Novatore. Dje, Kosova mbajti zgjedhjet parlamentare dhe vëzhguesit e po ashtu autoritetet, nuk raportuan për incidente serioze që do të dëmtonin integritetin e votimeve të një dite më parë.