Diaspora e Kosovës shihet si një burim i madh kapitali për zhvillimin ekonomik të vendit. Megjithatë, Dritarja e Investimeve, e krijuar për t’i mbështetur investimet e saj, po përballet njëkohësisht me histori suksesi dhe me sfida të dukshme. Kompania ReachteQ LLC në Kosovë është një nga 19 bizneset e diasporës që kanë përfituar mbështetje nga Dritarja për Investimet e Diasporës.
Kjo nismë, e lansuar në korrik të vitit 2024, nga Qeveria e Kosovës në bashkëpunim me Fondin Kosovar për Garanci Kreditore (FKGK) dhe Agjencinë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), ka për qëllim nxitjen e investimeve të diasporës në vend. Erblin Lekaj, bashkëthemelues i kompanisë, i rritur në Gjermani, thotë se:
Dritarja për Investimet e Diasporës ka qenë vendimtare për zhvillimin dhe ngritjen e biznesit të tij prodhues, të nisur pak më shumë se një vit më parë.
Kompania e tij merret me dizajnimin, prodhimin dhe shitjen e veglave që garantojnë kushte më të sigurta pune në sektorin e ndërtimtarisë. Falë garancisë së FKGK-së, Lekaj thotë se kompania e tij ka siguruar një kredi trevjeçare në një bankë komerciale në Kosovë, pa pasur nevojë të vendosë kapital privat si garanci.
Ne kemi një zyrë në Prishtinë, por kemi një kompani partnere prodhuese në Kosovë dhe kemi rritur kapacitetet. Nga muaji tetor do të shtojmë edhe sasinë e prodhimit, ndërsa kompania planifikon ta zgjerojë fabrikën dhe ta rrisë numrin e punëtorëve, në mënyrë që veglat t’i eksportojmë në Gjermani.
Pas rritjes së aktivitetit biznesor, Lekaj tregon se muajin e kaluar është kthyer bashkë me familjen e tij për të jetuar në Kosovë.