Rajoni

Kosovë, OEK-u kërkon pezullim të vendimit për shtrenjtimin e energjisë elektrike!

Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) kërkoi nga institucionet e vendit që të shtyjnë të paktën për një vit hyrjen në fuqi të vendimit për dalje në tregun e lirë të energjisë elektrike për bizneset. Drejtuesi Lulzim Rafuna, tha se bizneset kanë filluar të marrin ofertat e para dhe bie në sy çmimi shumë më i lartë nga sa kanë paguar deri më tani.

Ofertat e para që kanë ardhur tek të gjitha bizneset, tek të gjithë sektorët janë mbi 200% më të shtrenjta se çmimi i energjisë elektrike që kanë marrë deri më sot.

Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) mori vendim që nga data 1 qershor, të gjitha kompanitë e mëdha, konkretisht ato me mbi 50 të punësuar ose me qarkullim vjetor mbi 10 milion euro të kalojnë në tregun e hapur të energjisë. Sipas ZRRE-së, numri i tyre është mbi 1 mijë.

Aktualisht, këto biznese furnizohen nga Operatori për Furnizim me Energji (KESCO), si furnizuesi kryesor i licencuar për energji me çmime të rregulluara nga ZRRE-ja. Nga 1 qershori, kompanitë e mëdha duhet të zgjedhin vetë furnizuesin e tyre, me çmime të parregulluara, të cilat përcaktohen nga kërkesa dhe oferta në treg.

Rafuna u shpreh se ky vendim duhet të shtyhet për të paktën një vit se sipas tij, kjo do të shuante shumë biznese.

Kemi kërkuar që të shtyhet dalja në tregun e lirë dhe rritja prej 16.1% të suspendohet për arsye se ka mundësi dhe ka mekanizma që qeveria ta subvencionojë ose edhe ta gjejë mënyra tjera se si ta ndihmojë biznesin se si ta kalojë sa më lehtë këtë periudhë kohore të mosdaljes në tregun e lirë, deklaroi Rafuna.

Aktualisht, në tregun e lirë të Kosovës janë të licencuara 18 kompani që ofrojnë furnizim me energji elektrike, shumica prej të cilave janë nga Kosova, por ka edhe kompani nga rajoni. Nga 1 maji kanë hyrë në fuqi tarifat e reja, me një rritje prej 16.1%. Këto tarifa do të vlejnë edhe për bizneset që kanë më pak se 50 punëtorë apo nën 10 milion euro qarkullim.

Përmes një konference për media, edhe Partia Demokratike e Kosovës ka kritikuar rritjen e çmimeve të energjisë elektrike. Deputeti Ferat Shala e quajti rritjen e çmimit “selektive” e tha se dëmton qytetarët.

Sapo të konstituohet Kuvendi i ri, ne do të shfrytëzojmë të gjithë mekanizmat parlamentarë për të shqyrtuar çdo veprim e mosveprim në menaxhimin e sektorit energjetik.