Rajoni

Kosovë, qeveria paralajmëron masa për produktet kryesore!

Në Kosovë, ministrja e Industrisë, Sipërmarrjes dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, paralajmëroi se janë duke shqyrtuar mundësinë për marrjen e masave ligjore për produktet bazike, në mënyrë që t’i mbrojnë konsumatorët.  Çmimi tavan apo caktimi i marzhit janë dy mundësitë që po shqyrtohen. Produktet kryesore për konsumatorin janë gruri, mielli, buka, vaji, vezët, makaronat, qumështi, kripa, detergjentët e të tjera.

Masa për produktet bazike do të vendoset shumë shpejt, vetëm se varet nga analiza e situatës.

Ministrja Rozeta Hajdari shpreh shqetësimin për ngritjen e çmimit të bukës në disa qytete të Kosovës, që sipas saj, po ndodh në kohën kur në krahasim me muajin maj, kanë rënë me 7% çmimet e miellit e grurit të importuar. Ditët e fundit, në disa qytete të Kosovës, çmimi i bukës është shtrenjtuar me 40 deri në 60 centë.

Me këtë situatë, shohim që kemi një diferencë tepër të lartë. Fitimi ka qenë nga 4 deri 19 për qind.

Edhe kryetari i Shoqatës së Tregtarëve të Miellit, Bashkim Zejnullahu, ka kërkuar të mos spekulohet me çmimet.

Në tregun e Kosovës, aktualisht ka sasi të mjaftueshme të grurit dhe miellit e nuk ka arsye për shqetësim dhe ngritje të çmimeve.

Muajin e kaluar, qeveria Albin Kurtit mori vendim për caktimin e çmimit tavan për naftën. Nga fundi i vitit të kaluar, po Kosova përballet me rritje çmimesh të produkteve e shërbimeve, kryesisht për shkak të çrregullimeve në furnizime që ka shkaktuar pandemia e koronavirusit. Hov më të madh u ka dhënë pushtimi rus i Ukrainës, që ka nisur në fund të shkurtit.

Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), në muajin qershor të këtij viti, inflacioni arriti 14.1 për qind në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Në treg, një kilogram miell shitet 0.79 euro, një litër vaj 2.93, buka e zakonshme 0.50 euro, një litër qumësht 1.1 euro, ndërsa 30 kokrra vezë kushtojnë 3.90 euro.