Aktualitet

KPK konfirmon në detyrë prokuroren Elisabeta Imeraj!

Konfirmohet në detyrë Prokurorja Elisabeta Imeraj. Drejtuesja e Prokurorisë së Tiranës, ka kaluar me sukses Vettingun. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit kreu hetim në të tre shtyllat, pasuri, aftësi profesionale dhe pastërti figure nga ku rezultoi se Imeraj nuk ka fshehur pasurinë. Vendimi ndaj Imeraj duhej të shpallej fillimisht të premten, por seanca u shty pa shpjegim nga KPK.

Vetëm një orë më pas, Këshilli i Lartë i Prokurorisë me vota unanime e emëroi përsëri subjektin e rivlerësimit në krye të prokurorisë së kryeqytetit. Vendimi i KPK-së vjen pas një seance të paprecedentë dëgjimore të mbajtur një javë më parë, ku vëzhguesi ndërkombëtar, Theo Jacobs e akuzoi subjektin e rivlerësimit për një seri të gjatë veprash penale, përfshirë përgjime të paligjshme dhe shantazhim të anëtarëve të KPK-së, akuza të cilat Imeraj i kundërshtoi ashpër.

Jacobs deklaroi se kryprokurorja e Tiranës kishte ushtruar nëpërmjet një ‘përpjekje të organizuar’ ndikim të paligjshëm në proces. Jacobs e akuzoi subjektin e rivlerësimit se kishte vënë njerëz që të ndiqnin dhe të fotografonin kolegun e tij Hans Kijlstra, tashmë i larguar nga ONM, duke synuar të siguronte fakte kompromentuese ndaj tij. Institucionet e verifikimit të figurës dërguan raporte pozitive për kryeprokuroren e kryeqytetit, duke konkluduar se nuk ka të dhëna për kontakte të papërshtatshme.