Senati miratoi kandidaturën e Kristi Noemit për postin e sekretares së Sigurisë Kombëtare duke e vënë ish-guvernatoren e Dakotës së Jugut, në krye të një agjencie thelbësore për sigurinë kombëtare dhe planet e presidentit Donald Trump për të ndalur emigracionin e paligjshëm. Noem u miratua me 59 vota pro dhe 34 kundër.
Më herët, Senati miratoi kandidaturën e Pete Hegseth-it për postin e sekretarit të Mbrojtjes me një votim të ngushtë 51 me 50. Noem dhe Hegseth i bashkohen sekretarit të Shtetit, Marco Rubio dhe drejtorit të CIA-s, John Ratcliffe, tashmë të konfirmuar në detyrë. Nesër në mbrëmje, Senati do të votojë për miratimin e Scott Bessent-it për postin e sekretarit të Thesarit. Noem, aleate e presidentit Trump mori 7 vota nga demokratët.
Republikanët, që i kishin votat e nevojshme për ta miratuar kandidaturën, shprehën besim në vendosmërinë e saj për të udhëhequr çështjet që lidhen me sigurinë kufitare dhe emigracionin.
Në një postim në rrjetet sociale, Noem falënderoi Trump-in për “besimin që i dha për të shërbyer si sekretare e Sigurisë Kombëtare”.
Do të punoj për ta bërë Amerikën sërish të sigurt!
Lideri i shumicës në Senat, republikani John Thune, tha se “rivendosja e respektit për sundimin e ligjit është një nga prioritetet kryesore të presidentit Trump dhe republikanëve. Dhe kjo do të kërkojë udhëheqës të vendosur e të përkushtuar në Departamentin e Sigurisë Kombëtare”.
Demokratët janë të ndarë se si duhen zbatuar masat që lidhen me kufijtë dhe emigracionin nën administratën Trump. Disa prej tyre po mbajnë qëndrime të zbutura ndaj vijës së ashpër që po ndjek presidenti për të goditur emigracionin e paligjshëm. Por, kreu i pakicës demokrate në Senat, Chuck Schumer si dhe shumica e demokratëve, votuan kundër Noem-it.
Schumer theksoi rëndësinë e “zgjidhjeve dypartiake për të ndrequr problematikën në kufi” e theksoi se Noem “duket se po shkon në drejtimin e gabuar”.
Sekretari i Sigurisë Kombëtare mbikëqyr Doganat, Mbrojtjen e Kufijve dhe Emigracionin. Departamenti është përgjegjës edhe për sigurinë në transportin ajror, mbrojtjen e personaliteteve, reagimin ndaj fatkeqësive natyrore e çështje të tjera. Presidenti Trump ka në plan të bëjë ndryshime të mëdha në mënyrën se si funksionon departamenti, duke përfshirë edhe ushtrinë në zbatimin e ligjeve mbi emigracionin, si dhe riformësimin e Agjencisë Federale të Menaxhimit të Emergjencave.
Këto plane pritet ta vendosin Noemin në qendër të vëmendjes. Gjatë seancës dëgjimore në Senat, u pyet vazhdimisht nga senatorët demokratë nëse ajo “do t’u dërgonte ndihmë shteteve në raste fatkeqsish natyrore edhe nëse Trump do t’i kërkonte që të mos e bënte një gjë të tillë?”.
Do të zbatoj ligjin, pa paragjykime politike.