Senati Amerikan miratoi një projektligj të rëndësishëm për financimin e qeverisë, i cili brenda pak ditësh mund t’i japë fund mbylljes më të gjatë qeveritare në historinë e Shteteve të Bashkuara.
Drafti u miratua me 60 vota pro dhe 40 kundër, me pothuajse të gjithë republikanët dhe 8 demokratë që u shkëputën nga partia e tyre për ta mbështetur. Marrëveshja siguron fonde për qeverinë deri në fund të janarit 2026.
Tani është Dhoma e Përfaqësuesve që duhet ta miratojë projektligjin, përpara se presidenti Donald Trump ta nënshkruajë. Më herët, shefi i Shtëpisë së Bardhë sinjalizoi se do të jetë i gatshëm ta bëjë këtë.
Marrëveshja u arrit gjatë fundjavës së kaluar, kur disa demokratë iu bashkuan republikanëve për të negociuar një kompromis që do t’i kthente punonjësit federalë në detyrë dhe do të rifillonte shërbimet thelbësore të qeverisë.
Republikanët që kanë një shumicë prej 53 me 47 në Senat, kishin nevojë për të paktën 60 vota që masa të miratohej.
Senatorët demokratë Dick Durbin, John Fetterman, Catherine Cortez Masto, Maggie Hassan, Tim Kaine, Jackie Rosen dhe Jeanne Shaheen u shkëputën nga pjesa tjetër e partisë së tyre për të votuar pro projektligjit të financimit. Ata u bashkuan edhe me Angus King nga Maine, një i pavarur që bashkëpunon me demokratët, i cili gjithashtu votoi për rihapjen e qeverisë.
Vetëm një republikan, senatori Rand Paul nga Kentucky, votoi kundër së bashku me shumicën e demokratëve.
Ne do ta rihapim qeverinë e do të sigurohemi që punonjësit federalë të marrin kompensimin që e kanë fituar dhe e meritojnë, u shpreh senatorja republikane Susan Collins, e cila luajti rol kyç në hartimin e projektligjit.