Kristian Abiati pas një heshtjeje të gjatë ka folur ekskluzivisht për “Corriere dello Sport”, në faqet e së cilës ka bërë një analizë të momentit të Milanit, klub ku luajti për 17 sezone dhe ku për një vit ishte menaxher i skuadrës. Në vijim, të gjitha deklaratat e 48-vjeçarit.
Në 2017 ishit menaxher i ekipit në Milanin kinez. Çfarë mund të thoni?
Nuk shkoi shumë mirë. Kur njoftova se nuk do të bëja një sezon tjetër në atë rol, thashë me vete: “Çfarë kam bërë… nuk duhej ta kisha bërë as këtë”. Ndodhi që i thashë diçka një lojtari dhe në anën tjetër thuhej e kundërta. Nëse më kishin punësuar për të rekomanduar në cilin restorant duhej ngrënë, mbase do të kishte qenë më mirë të qëndroja në shtëpi. Ishte keq, më pas gjërat u përmirësuan pasi erdhi Gatuzo.
LEXO EDHE: Prapavija e Juventusit, Tiago Mota rigjen pikën e fortë
Çfarë do të bënint nëse pronari Kardinale ose Ibra do t’ju kërkonin?
Unë do të flisja me të dy. Kam mësuar se nuk duhet t’i mbyllësh kurrë dyert diçkaje përgjithmonë. Aq më tepër që në këtë rast do të flitej për Milanin, klub me të cilin jam shumë i lidhur shpirtërisht.
Në cilin rol e shihni veten nëse do të ktheheshit në botën e futbollit?
Menaxher i klubit do të thosha jo (qesh) dhe ndoshta as që isha në gjendje ta bëja. Është një rol që kërkon durim, duhet të jesh një ndërmjetës i aftë dhe unë nuk jam nga ata që kanë durim. Për mua, nëse diçka është “a”, ajo mbetet “a”. Pra, nëse kthehem ndonjëherë prapa, definitivisht nuk është pas një post zyre. Kam qenë dëshmitar i disa negociatave me Mirabelin e në shumicën e tyre do të isha larguar.
Si ju duket menaxhimi amerikan që po i bëhet Milanit?
Unë jam i dhënë pas “Berlusconëve” dhe “Moratëve”. Me pak fjalë, shkolla e vjetër, pronarët e pranishëm në territor dhe tifozë të skuadrave që zotëronin. Menaxhimi amerikan mund të ketë aspekte pozitive dhe fitimprurëse, por në sport, si kudo në jetë, ka shumë rëndësi edhe pasioni që nuk më duket se të ardhurit nga përtej oqeanit e kanë.
A duhet të rinovojë Milani kontratën e Menjasë?
Ata e bënë kapiten dhe ai është i rëndësishëm për dhomën e zhveshjes. Këtë vit ka bërë disa gabime, por është si Donaruma në aspektin e vlerës në portë. Pastaj, kur njerëzit janë mësuar me bëma, është më e lehtë të të vënë re gabimet.