Sport

Kriza në pankinën e Italisë, djali i Pirlos “shpërthen” ndaj Federatës: Kur zhurma ka më shumë rëndësi sesa aftësitë…

Nicolò Pirlo, djali i ish-futbollistit dhe trajnerit Andrea Pirlo, ka reaguar pas vendimit që e la babain e tij jashtë garës për stolin e kombëtares italiane.

Përmes një postimi në Instagram, Nicolò shprehu zhgënjimin e tij për mënyrën se si u trajtua çështja, pasi Andrea Pirlo nuk u emërua trajner i Italisë për shkak të lidhjes së tij si ambasador me kompaninë ruse të basteve Fonbet.

“Ka momente kur zhgënjimi shkon përtej një zgjedhjeje të thjeshtë. Sepse nuk vë në pikëpyetje vetëm një vendim, por edhe mënyrën se si gjykohen njerëzit”, shkroi Nicolò Pirlo në fillim të mesazhit të tij.

Ai theksoi se e di sa shumë punë dhe sakrifica ka bërë babai i tij për futbollin.

“E di sa shumë e do këtë punë. E di sa shumë ke studiuar, sa shumë ke sakrifikuar dhe sa respekt ke pasur gjithmonë për të gjithë ata që kanë ndarë rrugëtimin tënd. Vlerat për të cilat ke folur nuk janë vetëm fjalë; janë ato me të cilat ke jetuar gjithmonë”, u shpreh ai.

Nicolò theksoi se zhgënjimi i tij nuk lidhet me humbjen e një mundësie profesionale, por me klimën e krijuar rreth figurës së babait të tij.

“Jo për një stol, i cili në sport fitohet dhe humbet. Por për atmosferën që u krijua rreth një personi që gjithmonë e ka lënë punën e tij të flasë vetë, pa kërkuar rrugë të shkurtra apo konsensus”, shkroi ai.

Në fund, djali i Pirlos kritikoi faktin që sipas tij zhurma mediatike po tejkalon vlerat dhe aftësitë profesionale.

“Kur zhurma duket se ka më shumë rëndësi sesa aftësitë, respekti dhe vlerat, kjo dhemb. Çfarëdo që të ndodhë, një gjë nuk do të ndryshojë kurrë: jam krenar për njeriun që je, shumë më tepër sesa për profesionistin që të gjithë e njohin”, përfundoi Nicolò Pirlo.

Andrea Pirlo, kampion bote me Italinë në vitin 2006 dhe ish-trajner i Juventusit, ishte një nga emrat e përfolur për të marrë drejtimin e kombëtares italiane, por Federata Italiane e Futbollit vendosi të mos vazhdojë me kandidaturën e tij.