Në një nga traditat më të pazakonta dhe njëkohësisht më të rrënjosura në kulturën vendase, kryebashkiaku i qytetit San Pedro Huamelula në Meksikën jugore, Daniel Gutierrez, u “martua” simbolikisht me një kajman femër – një lloj aligatori ujor – të quajtur Miguelana Estela de Mar Zavaleta Ramirez.
Kjo “martesë” është pjesë e një rituali 230-vjeçar që synon të forcojë bashkimin mes dy komuniteteve indigjene të rajonit Oaxaca: Chontal dhe Huave.
Sipas besimeve tradicionale, ceremonia sjell paqe dhe begati në komunitet, veçanërisht në sektorët bujqësorë dhe të peshkimit.
Gjatë ceremonisë simbolike, Miguelana Estela u vesh me një fustan të bardhë nusërie dhe u shëtit nëpër qytet e shoqëruar nga muzikë, valle dhe banorë entuziastë. Gutierrez i dha “po”-në e tij publike dhe e vulosi bashkimin me një puthje, në një akt që simbolizon përkushtimin dhe dashurinë për qytetin që drejton.
“Nusja” përfaqëson një princeshë nga fisi Huave, ndërsa kryebashkiaku konsiderohet si përfaqësues i fisit Chontal.
A mayor in Mexico married an alligator pic.twitter.com/8imgnK1y5J
— ScorpWeb (@Scorpwebb) July 1, 2025
Legjenda thotë se një martesë mbretërore mes këtyre dy komuniteteve dikur solli paqen, ndaj kjo ceremoni përsëritet çdo vit si shenjë uniteti.
Kjo është një mënyrë për të kërkuar mirësi nga Nëna Tokë – për të na dhënë prodhim të bollshëm, peshk, dhe gjithë begatitë që rajoni ynë mund të ofrojë
-tha një banor lokal, Luis Manuel Lopez.
Festa përfshin tre ditë gëzimi me muzikë, vallëzim dhe ritme tradicionale, si pjesë e kremtimit të shenjtorit mbrojtës të qytetit, Shën Pjetrit.
Gjatë gjithë kësaj kohe, kajmani është nën kujdesin e një gruaje të quajtur “ndrikull”, e cila e vesh me rroba tradicionale dhe e zbukuron me lule shumëngjyrëshe.
Huameloula ka një traditë dhe kulturë aq të pasur saqë sot, si çdo vit, është në qendër të vëmendjes së botës
-u shpreh kryebashkiaku Gutierrez.