Çështja Beleri pjesë e fjalimit në Parlament të kryediplomatit grek, Georgios Gerapetritis, kur u ndal te politika e jashtme e Greqisë, në katër vitet e ardhshme. Sa i përket vendeve të Ballkanit Perëndimor, tha se ka shumë sfida dhe shtoi se ekzistojnë rreziqe të shumëfishta. Sipas tij, “nacionalizmat ndikojnë në sigurinë e rajonit dhe minojnë perspektivën europiane” të këtyre vendeve.
Greqia mbetet e përkushtuar ndaj zhvillimit, sigurisë e prosperitetit të Ballkanit Perëndimor dhe 20 vjet pas Samitit të Selanikut do të vazhdojë të ndërmarrë iniciativa për të përshpejtuar rrugën europiane të vendeve ballkanike. Sidomos në lidhje me Shqipërinë, ne do të bëjmë gjithçka që është e nevojshme për t’i dhënë fund ndalimit të përkohshëm të kryetarit të zgjedhur të Himarës, Fredi Beleris. Shqipëria duhet të respektojë rregullat e shtetit ligjor nëse dëshiron të bëhet anëtare e familjes europiane.
Gerapetritis, një prej njerëzve më të besuar të kryeministrit Mitsotakis, deklaroi se “Politika e Jashtme greke do të jetë multimodale”.
Nga njëra anë do të përfshijë të gjitha format moderne të diplomacisë, siç është diplomacia publike e që ka të bëjë me imazhin e vendit në botë dhe nga ana tjetër do të përdorë çdo mjet, që mund të nxjerrë në pah pozitat kombëtare.
Po me Turqinë?
Për marrëdhëniet tona me Turqinë, mbetet busull respektimi i së drejtës ndërkombëtare dhe disponimi praktik i bashkëpunimit e dialogut. Dallimin e vetëm mes dy vendeve tona, përcaktimin e ZEE dhe shelfit kontinental, Greqia kërkon ta zgjidhë sipas modelit të marrëveshjeve që kemi bërë me Italinë, Egjiptin e shpresojmë që së shpejti, edhe me Shqipërinë.
Shtyrja e vazhdueshme në të ardhmen e këtyre çështjeve, nuk funksionon në të mirë të asnjërit vend. Ne do t’i qasemi këtij dialogu me besimin që na jep pozita jonë e forcuar diplomatike në mjedisin ndërkombëtar.
Deklaratat e ministrit të Jashtëm në lidhje me përcaktimin e ZEE, për zgjidhjen në bazë të modelit që u gjet me Italinë dhe Egjiptin, me ndikim të reduktuar nga ishujt në kufijtë detarë u kritikuan në Parlament nga partitë e ekstremit të djathtë.