Politikë

Kryemadhi: Fjalët e Tahirit, pjesë e tragjedi-komedisë së Ramës!

Lëvizja Socialiste për Integrim ka mbledhur Komitetin Drejtues Kombëtar i cili po vijon edhe në këto momente. Kryetarja Monika Kryemadhi foli për dorëheqjen e Saimir Tahirit. Ndërkaq ajo tha se: “Të gjithë kanë muaj që presin drejtësi për çështjen Tahiri. Drejtësia ka munguar në krye të herës dhe nuk ka njeri në Shqipëri që t’i besojë Edi Ramës dhe të urdhërojë prokurorinë që varet prej tij që ta hetojë si një nga bashkëpunëtorët. Asnjë fjalë të sinqertë nuk ka pasur në apologjinë false të ish-ministrit të Brendshëm, madje edhe lotët e tij, tashmë duken si lot krokodili, janë pjesë e tragjedi-komedisë së Edi Ramës, i cili i inskenon për bashkëpunëtorët e tij. Nëse Saimir Tahiri do të kishte ndjerë qoftë edhe një fije përgjegjësie për lumin e drogës që e zhyti Shqipërinë, të paktën duhet të kërkonte ndjesë jo vetëm për shqiptarët, por për ata të rinj që sot janë peng i përdorimit të drogave të forta. Ai duhet të tregonte dinjitet dhe të përballej me të vërtetën dhe jo të shantazhonte Edi Ramën me gjuhën e mafiozëve”, deklaroi Kryemadhi. Kryemadhi komentoi gjithashtu, edhe largimet e këshilltarëve të Lëvizjes Socialiste për Integrim, në rrethe. Një reagim të ashpër e pati edhe për faktin se Kryeministri Rama sipas saj po sulmon dhe intimidon padrejtësisht anëtarët e LSI.