Kryeministri Dritan Abazoviç mohon që Mali i Zi po i bashkohet nismës rajonale “Ballkani i Hapur”. Ndërsa ndodhet në Ohër të Maqedonisë së Veriut ku për herë të parë po merr pjesë në takimet e kësaj iniciative, por në cilësinë e vëzhguesit, në një postim në Telegram, shkruan:
Nuk po shkojmë në Ohër për t’iu bashkëngjitur “Ballkanit të Hapur”, por që së bashku me partnerët e Bashkimit Europian dhe aleatët e NATO-s, të shprehim qëndrimin ndaj një nisme rajonale, që në fund të fundit, të kemi më shumë mirëkuptim dhe bashkëpunim të mirë.
Reagimi i shefit të qeverisë së Podgoricës pason deklaratën e djeshme të kryeministrit Edi Rama se pjesëmarrja e Abazoviçit në takimet në Ohër, “fut zyrtarisht Malin e Zi në “Ballkanin e Hapur””.
Deri tani, nismës i janë bashkuar Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut, por jo Kosova, Mali i Zi dhe Bosnje-Hercegovina, edhe pse përfaqësuesit e Podgoricës e të Sarajevës gjenden në Ohër ku sot zhvillohet dita e dytë e samitit, në kuadër të “Ballkanit të Hapur”.
Iniciativa është vazhdimësi e “mini-Shengenit” ballkanik, të prezantuar në Novi Sad të Serbisë më 10 tetor të vitit 2019, nga liderët e Serbisë, Maqedonisë së Veriut e Shqipërisë. Në atë kohë, pushtetin në Malin e Zi e kishte Partia Demokratike e Socialistëve (DPS), që nuk pranoi të merrte pjesë në këtë nismë rajonale. Ndërkohë, Abazoviç ka dhënë sinjale se vendi i tij mund të përfshihet në “Ballkanin e Hapur”.
Përfaqësuesit e Bosnjës shprehën dëshirën që t’i bashkohen “Ballkanit të Hapur”. Kryetari i Këshillit të Ministrave të Bosnje e Hercegovinës, Zoran Tageltija:
Jam këtu sepse e di se pothuajse i gjithë komuniteti i biznesit në Bosnjë e Hercegovinë, shumica e politikanëve, dëshirojnë të jetë pjesë e projektit “Ballkani i Hapur”, por edhe entitetet janë të vendosur t’i bashkohen këtij projekti. Bosnjë e Hercegovina po përgatitet dhe dëshiron të bëhet anëtare sa më shpejt të jetë e mundur.