Aktualitet Rajoni

Kryeministri Rama: “”Ballkani i Hapur” nuk është i Serbisë!”

Në Ohër të Maqedonisë së Veriut mbahet takimi i radhës i nismës rajonale, “Ballkani i Hapur”, pjesë e së cilës janë Shqipëria, Serbia e Maqedonia e Veriut. Shefi i qeverisë së Shkupit, Dimitar Kovaçevski, vuri në dukje se “Ballkani i Hapur”, ka mbështetjen e të gjitha bizneseve, si mundësi e mirë për rajonin.

Janë hapur korsitë në Tabanoc, mes Maqedonisë së Veriut e Serbisë dhe Qafë Thanë, ndërmjet Maqedonisë së Veriut e Shqipërisë. Ballkani i Hapur po jep rezultate në lëvizjen e lirë të mallrave, deri në heqjen e përfundimtare të barrierave.

Kovaçevski nënvizoi se qëllimi i nismës është integrimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian dhe bashkëpunimi për të forcuar stabilitetin.

Qëllimi ynë është i qartë: Ballkani duhet të jetë pjesë e Bashkimit Europian. Lufta në Ukrainë krijon mundësi për ndikim të vendeve të treta, ndaj duhet të bashkëpunojmë për forcimin e stabilitetit… Me rëndësi që BE-ja të pranojë se zgjerimi i saj është interes strategjik. Vizioni ynë për Ballkanin është integrimi në BE. Kërkojmë që BE-ja ta pranojë mundin tonë dhe rajoni të bëhet pjesë e BE-së!

Ndërkohë, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama vuri në dukje se “lufta në Ukrainë e bën “Ballkanin e Hapur” një domosdoshmëri edhe më të madhe”.

Që kur nisi lufta në Ukrainë, unë i kam ditur edhe raportet mes Serbisë e Kosovës apo Serbisë dhe Rusisë, por sot jemi këtu sepse duam të vazhdojmë drejt së ardhmes, por pa i mbyllur sytë se kemi probleme të pazgjidhura.

“Ballkani i Hapur” nuk është i Serbisë, siç dëgjojmë këto ditë, por i të gjithë njerëzve që jetojnë këtu, është i fermerëve shqiptarë. Sa më shumë të afrohemi, aq më shumë zgjidhim problemet dhe armiqësitë, aq më shumë kemi mundësi të zgjidhim edhe problemin mes Kosovës e Serbisë.

Kryeministri Rama theksoi nevojën për më shumë afërsi e komunikim, që siç u shpreh, “njerëzit ta kuptojnë se e ardhmja është më e rëndësishme se sa e shkuara”.