Aktualitet Politikë

Kryeministri Rama për “The Guardian”: Idetë për kampe emigrantësh tregojnë errësirën e Britanisë post-Brexit!

Kryeministri Edi Rama kritikon planin e Mbretërisë së Bashkuar për të dërguar azilkërkuesit e refuzuar në “qendra kthimi” në vende të treta. Këtë politikë, shefi i qeverisë e quan “tregues të një situate “shumë të errët në Britaninë post-Brexit”. Në një intervistë për “The Guardian”, Rama flet për ndryshimet e thella në diskursin publik britanik dhe refuzon përfshirjen e Shqipërisë në të tilla skema për emigrantët. Gjithashtu, kryeministri shpreh besimin se vendi ynë do të bëhet anëtar i BE-së brenda 2030-ës.

Një plan i Mbretërisë së Bashkuar për të dërguar azilkërkuesit e refuzuar në “qendra kthimi” në vende të treta, tregon se pas Brexit-it, Britania është “në një situatë shumë të errët”, ka deklaruar kryeministri i Shqipërisë.

Në intervistën e tij të parë për median ndërkombëtare që pas fitores historike të mandatit të katërt nga Partia e tij Socialiste, Edi Rama tha se ideja që Britania e Madhe të “kërkojë vende ku të hedhë emigrantët” do të ishte e paimagjinueshme një dekadë më parë.

Por sipas tij, kjo ide është në përputhje me ndryshimin e diskursit publik në Britani që nga Brexit, ku “e papranueshmja, qesharakja dhe turpshmja” janë bërë të zakonshme. Plani për “qendrat e kthimit”, i shpallur muajin e kaluar nga Keir Starmer gjatë një vizite në Ballkan, parashikon ngritjen e disa qendrave në vende të treta, ku do të përpunohen kërkesat e personave që u është refuzuar azili dhe që kanë ezauruar të gjitha rrugët ligjore në Mbretërinë e Bashkuar.

“Eshtë një nga ato gjëra që 10 vite më parë nuk do të mund të imagjinohej … që Britania të kërkonte vende për të hedhur emigrantët”, tha Rama nga Tirana, kryeqyteti shqiptar. Fakti që sot jo vetëm imagjinohet, por po ndodh, nuk është për shkak se Keir Starmer apo [Rishi] Sunak po bëjnë diçka skandaloze, është sepse vendi ndodhet në një situatë shumë të errët”.

Rama, i njohur për qëndrimet e tij të drejtpërdrejta dhe shpesh kundër rrymës, shprehu zhgënjim për nivelin e diskursit publik në Mbretërinë e Bashkuar.

80% e gjërave që thuhen, shkruhen ose pranohen si pjesë normale e diskursit në Britaninë e sotme janë gjëra që [para Brexit-it] do të kishin qenë plotësisht të papranueshme, plotësisht qesharake, plotësisht të turpshme, u shpreh ai.

Nën qeveritë e mëparshme konservatore, marrëdhëniet mes Mbretërisë së Bashkuar dhe Shqipërisë u tensionuan gjithnjë e më shumë, të errësuara nga kalimet me gomone dhe akuzat për emigrantë të paligjshëm shqiptarë që po “pushtonin” brigjet britanike.

Vizita e Starmer-it në maj, e para ndonjëherë nga një kryeministër britanik synonte të vendoste marrëdhëniet dypalëshe mbi një themel të ri. Gjatë qëndrimit në Tiranë, lideri laburist deklaroi se po zhvilloheshin bisedime “me një sërë vendesh” për ngritjen e qendrave të kthimit. Por, në një qëndrim që u pa si një kritikë e butë ndaj mysafirit të tij, Rama deklaroi në një konferencë të përbashkët për shtyp se Shqipëria nuk do të bëhej pjesë e këtij skeme.

Duke kërkuar të sqarojë pozicionin në intervistë, Rama deklaroi se Starmer, një “njeri shumë i ndershëm [dhe] shumë i këndshëm”, nuk kishte bërë një kërkesë të tillë publikisht e nuk ishte as lideri i parë britanik që e kishte hapur privatisht këtë temë. Rama theksoi se përgjigjja e tij kishte qenë gjithmonë e njëjtë: “Kam qenë i qartë për këtë që kur ma kërkoi Boris Johnson dhe më pas Rishi … gjithmonë kam thënë jo”.

Fakti që Shqipëria kishte rënë dakord më herët për një skemë të ngjashme me kryeministren italiane, Giorgia Meloni, ishte ndryshe për shkak të “marrëdhënies shumë të veçantë” mes dy vendeve. Marrëveshja, që parashikon ndalimin e njerëzve në det dhe dërgimin e shumicës jo në Itali, por në një qendër pritjeje në Shqipëri ku do të përpunohen kërkesat e tyre për azil është penguar deri më tani nga kundërshtime ligjore.

Që nga dita kur ra regjimi stalinist brutal i Shqipërisë në vitin 1991, Italia ka qenë gjithmonë pranë vendit të tij, tha Rama. Si rrjedhojë, bashkëkombësit e tij kanë “një dobësi” për Romën.

“Praktikisht, jemi një vend i përbërë nga dy shtete të pavarura … Italia ka qenë gjithmonë aty për ne, në çdo moment të errët dhe situatë të vështirë që nga dita kur dolëm nga ferri i të qenit Koreja e Veriut e Europës. [Ne] kemi një dobësi për Italinë, prandaj kur Italia na kërkon diçka, themi po, pikë”.

Qëndrimi i Ramës përkon me një vetëbesim të ri, teksa ky vend i vogël, ndër më të varfrit në Europë, po bën hapa dikur të paimagjinueshëm drejt anëtarësimit në BE. Me një ndryshim të ndjeshëm ritmi dhe toni që ai ia atribuon “frymës së re gjeopolitike” që ka përfshirë politikëbërësit europianë pas pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia, negociatat e anëtarësimit janë përshpejtuar, pasi më në fund Brukseli po synon të përfshijë Ballkanin Perëndimor.

Prej kohësh, ky rajon është parë nga Moska si pjesë e sferës së saj të ndikimit. Rama, i cili mbush 60 vjeç në korrik, e zhvilloi fushatën elektorale mbi premtimin se do të vazhdonte me vendosmëri rrugën drejt anëtarësimit në BE. Tani, ai beson se negociatat do të përmbyllen deri në vitin 2027 dhe “brenda vitit 2030 do të jemi një vend anëtar i BE-së”. Shqipëria, e cila iu bashkua NATO-s në vitin 2009, është vend kandidat për anëtarësim prej më shumë se një dekade.“E gjithë qasja ndaj procesit ka ndryshuar në mënyrë dramatike. Tani ata [BE-ja] janë shumë të etur për të ecur përpara … Me agresionin rus gjithçka ndryshoi, kështu që në një farë mënyre edhe Vladimir Putin e bëri këtë, e bëri Europën shumë më të interesuar për bashkimin”.

Ai sheh një ndikim të ngjashëm mbi BE-në edhe nga banori i ri i Shtëpisë së Bardhë e është “100% i bindur se fitorja e Donald Trump-it është një gjë e mirë për Europën”. Rama theksoi se fitorja e Trump-it e nxori Europën nga përgjumja dhe solli “një shpirt shqetësues” që bota kishte nevojë.

“Mendoj se kur Trump thotë se Zoti e shpëtoi sepse kishte një plan për Amerikën, ai thotë vetëm gjysmën e së vërtetës. Zoti e shpëtoi sepse kishte një plan edhe për Europën, për ta zgjuar”, tha ai.

Më vonë këtë vit, piktori shqiptar i kthyer në kryeministër do të nisë një tur “falënderimi” në komunitetet e Diasporës e që për herë të parë, patën mundësinë të votonin në zgjedhjet e muajit të kaluar, duke ndihmuar në fitoren e thellë të tij. Më shumë se 500 mijë shqiptarë etnikë mendohet se jetojnë vetëm në Greqi. Shpresa e Ramës është t’i tërheqë ata përsëri në atdhe, “sepse tani pagat tona janë shumë pranë atyre në Greqi dhe këtu është shtëpia”.

Por, lideri i Partisë Socialiste, 2.01 metra i gjatë dhe ish-basketbollist në rininë e tij, ka edhe kritikët e vet. Akuzat për korrupsion në shoqërinë shqiptare janë të përhapura. Po ashtu, akuzat për autoritarizëm në rritje. Rama pritet të bëhet lideri më jetëgjatë që nga Enver Hoxha, ish-diktatori brutal i vendit megjithëse këto akuza konsiderohen “qesharake” nga admiruesit e tij dhe zyrtarët në Bruksel.

Një ish-ministër i BE-së ka deklaruar: “Edi është më i madh se vetë jeta. Problemi i tij është se ai është shumë i madh për vendin e vet dhe nuk e kam fjalën për shtatlartësinë”.

Nëse Shqipëria do të arrinte të anëtarësohej në BE, Rama tha se ky do të ishte “momenti i duhur e më i mrekullueshëm për të dorëzuar stafetën”. Do të ishte një arritje personale, por gjithashtu do të “ndihmonte Europën të ishte më pak e mërzitshme dhe më shumë e diellit”.