Kualifikimi për herë të parë në ‘play-offet’ e një kampionati botëror nuk është pasqyruar si sukses në FIFA për kombëtaren shqiptare. Në renditjen e muajit nëntor kuqezinjtë kanë zbritur me dy pozicione, duke shkuar nga vendi i 61 në të 63-ën. Kjo pas fitores 0-1 me Andorrën si dhe pas humbjes 0-2 me Anglinë.
Shumë ndryshe paraqitet situata për Kosovën, që vijon të vendosë rekorde. Pas fitores me Slloveninë si dhe barazimit me Zvicrën ‘dardanët’ kanë fituar 4 pozicione, duke shkuar nga vendi i 84-ët në të 80-in në botë.
Ndërkohë nesër kombëtarja shqiptare do të mësojë edhe kundërshtarët në shortin e ‘play-off-it’ të Botërorit që do të hidhet në Zyrih të Zvicrës.
Klasifikimi i muajit nëntor në FIFA është ai tek i cili do të bazohen shortet për play-off të Botërorit, por edhe për fazën finale të tij. Renditja e FIFA-s për zonë e Europës mban Shqipërinë në vazon e tretë në short që do të thotë se do të luajë jashtë fushe ndeshjen e parë gjysmëfinale në play-off.
16 përfaqësueset evropiane, që do të luftojnë për 4 bileta, janë të ndara në 4 vazo, me Shqipërinë që ndodhet në vazon e tretë bashkë me Irlandën, Bosnje-Hercegovinën dhe Kosovën. Kundërshtarët e mundshëm të kuqezinjve janë në vazon e dytë ku bëjnë pjesë Polonia, Uellsi, Çekia dhe Sllovakia. Njëjtë si Shqipëria, këto 4 përfaqësuese të vazos së dytë janë edhe kundërshtarët e mundshëm të Kosovës.
LEXO EDHE: Në pritje të playoffit, kundërshtarët e Kombëtares dhe procedura e shortit…
Nëse Shqipëria kualifikohet, në finale do të përballet me fituesin e vazos 1 dhe 4, që në gjysmëfinale përballen bashkë. Shorti do të përcaktojë rrugën deri në finale, ndërsa në gjysmëfinale në fushën e saj do të luajnë përfaqësueset që ndodhen në vazon 1 dhe 2. Përballjet janë me tek ndeshje dhe në rast se 90 minutat mbyllen barazim shkojnë në shtesë dhe më pas te penalltitë. Stadiumi i ndeshjes finale do të përcaktohet me short.