Sport

Kupa e Botës: Është radha e Portugalisë dhe Anglisë

Kupa e Botës 2026 do të vijojë këtë të mërkurë, më 17 qershor, me ndeshjet e raundit të parë të fazës së grupeve, ku në fushë zbresin edhe dy nga pretendentët kryesorë për trofeun, Portugalia dhe Anglia.

Programi i ditës nis me sfidën Portugali – RD Kongo, e cila do të luhet në orën 19:00, një ndeshje ku portugezët shihen si favoritë për të marrë tre pikët e para të turneut.

Më pas, në orën 22:00, vëmendja do të zhvendoset te përballja Angli – Kroaci, një duel evropian që pritet të jetë një nga ndeshjet më të forta të këtij raundi të parë të grupeve.

Portugali – RD Kongo

Kupa e Botës 2026 sjell përballjen e parë historike mes Portugalisë dhe RD Kongos, një ndeshje që pritet të tërheqë vëmendje të madhe në programin e ditës.

Një nga pikat kryesore të këtij dueli është Cristiano Ronaldo, i cili mund të shkruajë historinë duke u aktivizuar në gjashtë edicione të Kupës së Botës.

Sulmuesi portugez ka debutuar në Botëror në vitin 2006 dhe ka marrë pjesë gjithashtu në edicionet 2010, 2014, 2018 dhe 2022.

Në krahun tjetër, RD Kongo rikthehet në skenën botërore pas 52 vitesh mungesë. Herën e fundit që mori pjesë në Kupën e Botës ishte në vitin 1974 në Gjermani, kur përfaqësonte vendin nën emrin Zaire.

Angli – Kroaci

Një tjetër sfidë e fortë e Botërorit është përballja mes Anglisë dhe Kroacisë, dy ekipe evropiane me një histori të pasur përballjesh direkte.

Në 11 ndeshjet e mëparshme mes tyre, Anglia numëron gjashtë fitore, Kroacia tre, ndërsa dy takime janë mbyllur në barazim.

Dy kombëtaret janë përballur në disa kompeticione madhore, përfshirë Kampionatet Evropiane, Kupën e Botës dhe Nations League, duke krijuar një rivalitet të fortë ndër vite.

Një nga ndeshjet më të paharruara mbetet gjysmëfinalja e “Rusi 2018”, ku Kroacia fitoi 2-1 pas kohës shtesë dhe u kualifikua në finalen e Botërorit, të cilën më pas e humbi ndaj Francës.

 Duelet e tjera

Raundi i parë do të mbyllet në orët e para të mëngjesit të 18 qershorit. Në orën 01:00, Gana do të përballet me Panamanë, ndërsa tre orë më vonë, në orën 04:00, Uzbekistani do të ketë një sfidë të vështirë ndaj Kolumbisë.

Ndërkohë, më 18 qershor do të nisë edhe raundi i dytë i ndeshjeve të grupeve. Në orën 18:00, Çekia do të përballet me Afrikën e Jugut, ndërsa në orën 21:00, Zvicra do të sfidojë Bosnjë dhe Hercegovinën, në një tjetër përballje interesante të programit të ditës.