Reshjet e shiut kanë shkaktuar probleme në disa fshatra të qarkut të Kukësit, ku raportohen për dëmtime të urave dhe rënie dherash e inerte në disa rrugë nacionale.
Sipas informacionit nga Emergjencat Civile, në Ujmisht ka rënie gurësh dhe inertesh në rrugë në Lusèn, Malqene dhe Tejdrinë, po ashtu dhe në Zapod.
Si rezultat i erës është dëmtuar dhe mbulesa e një çatije në shkollën e fshatit Bele. Në Kolsh, si rezultat i vërshimit të ujrave janë dëmtuar rrugët e fshatit Myç-Mamëz dhe Mamëz të aksit rrugor Kukës-Surroj, ndërsa në Tropojë, në disa zona janë evidentuar problematika në disa ura.
Konkretisht, si pasojë e prurjeve të mëdha të ujit janë dëmtuar këmbët mbajtëse të tyre. Gjithashtu, për shkak të amortizimit, disa ura kanë pësuar dëmtime në shtrojën e tyre.
Qarku Dibër
Situata paraqitet e qetë, përveç mungesës së energjisë elektrike në njësitë Kala e Dodës, Sllovë, Zall Dardhë, Reç, Lurë dhe pjesërisht në Arras e Fushë Çidhën.
Grupet e OSHEE po punojnë për riparimin e defekteve.
Qarku Lezhë
Bashkia Kurbin:
Vijon puna për normalizimin e situatës në Mamurras dhe fshatrat Gjorëm, Zhejë dhe Fushë Mamurras.
Në fshatin Shpërdhe, rruga është dëmtuar nga ujërat e lumit Droje.
Puna vijon edhe në segmentin Skuraj–Gallatë–Vinjollë, i cili mbetet i bllokuar për shkak të dëmtimit të urës mbi lumin Vinjollë.
Nivelet e ujit në lumenjtë Drin dhe Mat janë brenda kuotave.
Qarku Shkodër
Bashkia Shkodër:
Vijon pastrimi i inerteve në segmentin Gimaj–Bregu i Lumit (njësia Shalë) nga trupat e FA dhe punonjësit bashkiakë.
Segmenti Ndërlysë–Breg Lumi mbetet i bllokuar; po punohet për hapjen e tij.