Sport

Kupa e Botës 2026/ Shiten të gjitha biletat e tifozëve shqiptarë për ndeshjen Angli – Shqipëri!

Të gjitha biletat e vëna në dispozicion për tifozët shqiptarë në stadiumin “Wembley” për ndeshjen e parë kualifikuese Angli – Shqipëri janë shitur.

Ka pasur një interes të jashtëzakonshëm nga tifozët e Kombëtares kuqezi për këtë sfidë, të cilët si gjithmonë do të jenë në mbështetje të ekipit.

Ndeshja Angli – Shqipëri, e vlefshme për kualifikueset e Kupës së Botës 2026, do të luhet më 21 mars, në orën 20:45, në stadiumin “Wembley” të Londrës.

Pas 3 ditësh, më 24 mars, Shqipëria do të luajë ndeshjen e parë në shtëpi ndaj Andorrës, në orën 20:45.

Dy ndeshjet e radhës janë në qershor 2025. Ndeshja Shqipëri – Serbi do të luhet më 7 qershor, në orën 20:45. Pas 3 ditësh, më 10 qershor, kuqezinjtë do të udhëtojnë në transfertë për t’u përballur me Letoninë. Takimi do të luhet në orën 20:45.

Në shtator, skuadra kuqezi do të luajë vetëm një ndeshje në shtëpi. Takimi Shqipëri – Letoni do të luhet më 9 shtator, në orën 20:45.

Edhe në tetor, në program është vetëm një ndeshje në transfertë. Ndeshja Serbi – Shqipëri do të zhvillohet më 11 tetor, në orën 20:45.

Shqipëria do të mbyllë rrugëtimin në kualifikueset e Botërorit 2026 në muajin nëntor. Sfida Andorrë – Shqipëri do të luhet më 13 nëntor, në orën 20:45.

Ndeshja e fundit do të luhet në stadiumin kuqezi “Arena Kombëtare”. Supersfida Shqipëri – Angli do të luhet më 16 nëntor, në orën 20:45.