14 milion njerëz në Gjermani konsiderohen të varfër, ndërsa për një pjesë, paratë nuk kanë rëndësi. Kontrasti bëhet i dukshëm sidomos tani në ditët e festave të fundvitit. Këtë e përjetoi Sandra Schlensog. Ajo ka dalë vetëm për të shëtitur nëpër tregun e Krishtlindjes në Karlsruhe, sepse nuk mund të blinte gjë, pasi nuk mund t’i përballojë çmimet.
Një palë çorape të thurura me dorë për 15 euro? Kjo është utopike, tha 46-vjeçarja, duke e vënë sërish në vend palën që mbante në dorë.
Sandra Schlensog merr ndihmën sociale të njohur si “paratë për qytetarin” dhe gjithashtu punon tetë orë në javë në një qendër për të sëmurët me probleme të shëndetit mendor. Me kohë të plotë nuk mund të punojë, për shkak të problemeve shëndetësore. Paratë nuk i dalin asnjëherë, por sidomos në kohën e Krishtlindjes e ndjen shumë gjendjen e dobët financiare.
Thjesht nuk ka dhurata të shtrenjta dhe as në tregun e Krishtlindjes nuk ka salçiçe skare.
Çantë dore për 700 euro
Për blerjen e një salçiçeje, askush në “Dorotheen Quartier” të Shtutgartit nuk e vret mendjen. Rruga e njohur e blerjeve në kryeqytetin e landit, Baden-Vyrtemberg me dyqanet e saj elegante ka klientelë të fortë. Tek Louis Vuitton, çmimet për çantat kapin zakonisht katër shifra, megjithatë ende ka radhë para dyqanit gjatë periudhës para Krishtlindjes. Ndër shumë të tjerë, këtu është edhe Thomas Gudd. Ai dëshiron të blejë një çantë për të dashurën e tij:
Duhet të jetë diçka e veçantë këtë vit.
Ndërkaq, çanta që Manfred Holzknecht blen për gruan e tij është edhe më e lirë për standardet e këtushme: 700 euro.
Gratë thjesht i duan çantat. Nëse jeni i martuar për një kohë të gjatë, duhet ta bëni sërish të lumtur gruan tuaj.
Kjo vlen edhe jashtë sezonit të Krishtlindjes, thotë gruaja e tij Katharina:
Thjesht blen diçka herë pas here për gëzim të vogël.
Ta bësh vetë dhuratën jo ta blesh
Për Sandra Schlensog-un, blerjet jashtë radhe nuk janë të mundshme as në Krishtlindje. Prandaj dhuron sende të bëra vetë si biskota apo kapele të thurura. Ajo bën vetëm një përjashtim për djalin e saj 16-vjeçar: gjithë vitin ka kursyer për dhuratën e tij të Krishtlindjes.
Tani që kam punë me kohë të pjesshme, mund të lë mënjanë dhjetë apo 15 euro në muaj.
Kjo do të thotë se kursen rreth 150 euro në vit. Paratë i përdori edhe për të financuar dhuratën e Krishtlindjes për djalin e saj. Mbi të gjitha, ai dëshiron veshje. Në dollapin e tij gjen vetëm gjërat “të domosdoshme”.
Dy pulovra, disa bluza, një palë xhinse.
Në apartamentin e saj me qira, letra e murit bie.
Në fakt, kjo duhet të ribëhet dhe të lyhet.
Por, nuk kanë para të mjaftueshme për këtë. Mobiljet tregojnë gjithashtu moshën e tyre: nga një kolltuk ka dalë sfungjeri nga një çarje edhe divani 17-vjeçar është i varur.
Ky ishte shtrati im për një kohë të gjatë.
Tani ajo ka sërish një shtrat të vërtetë, falë një donacioni.
Vizitat e atraksioneve kushtojnë
Sandra Schlensog dhe djali i saj nuk janë raste përjashtuese në Gjermani: Shoqata e Përgjithshme e Barazisë e Bamirësisë (Paritätische Wohlfahrtsverband) numëron 14 milion njerëz si të varfër. Shumë njerëzve, varfëria iu bëhet veçanërisht e qartë kur fillon sezoni i Krishtlindjes. Megjithatë, Sandra Schlensog i pëlqen Krishtlindjet:
Unë përpiqem për sa më shumë komoditet.
Megjithatë do të donte të kishte para për një ose dy “lukse” të vogla”, siç thotë ajo, si për shembull një udhëtim me karusel në tregun e Krishtlindjes.
Mendoj se është bukur, sidomos në mbrëmje.
Por një udhëtim kushton 6 euro për të rriturit.
Kjo është thjesht tepër e shtrenjtë. Nuk e paguaj dot./DW