Besimtarët myslimanë në Kosovë po kremtojnë sot Kurban Bajramin, festë që nisi me faljen e namazit dhe të Bajramit, në të gjitha xhamitë. Por, manifestimi qendror u mbajt në Xhaminë e Madhe në Prishtinë ndërsa u përcollën mesazhe paqeje, solidariteti, harmonie e dashurie ndaj njëri-tjetrit. Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, myftiu Naim Tërnava:
Kjo festë e Kurban Bajramit karakterizohet edhe me prerjen e kurbanit në shenjë rikujtimi e sakrifice së pejgamberit Ibrahim a.s. me të birin Ismailin, i cili ishte i gatshëm që për Zotin, të flijonte edhe të birin e tij e Kurban Bajrami na vjen si një kujtim i vlerave burimore që posedon feja jonë. Na rikujton sakrificën, solidaritetin, ndihmën e humanitetin ndaj njerëzve që kanë nevojë. Ndaj pse të mos ndihmojmë njëri-tjetrin edhe përmes prerjes së kurbanit, të gëzojmë fëmijët në nevojë, jetimët, që tryeza e tyre në këtë festë të jetë e begatë.
Tërnava vuri në dukje se “Islami është fe hyjnore që thërret vetëm për paqe”.
Zoti përmes dërgimit të pejgamberëve dhe librave të shenjta na mësoi edhe për sjellje të mira dhe bashkëpunim mes njerëzve, pa dallim vendi, gjuhe a race. Islami, fe hyjnore, nuk thërret për luftë, por për paqe. Eshtë kundër gjakderdhjes, vrasjeve e torturave dhe dhunimeve, shkatërrimit të infrastrukturës që njerëzit me mund e kanë ngritur, për të bërë një jetë të qetë e të lumtur.
Nuk është e drejtë që popujve të ndryshëm, shteteve të ndryshëm, t’iu imponohet lufta, që shkakton vrasje e shkatërrim. Njeriu ka mundësi të gjykojë drejtë e të shtrojë rrugën e miqësisë dhe vëllazërisë, mes popujve e shteteve të ndryshëm pavarësisht pozitës, racës, gjuhës e potencialit që posedon ai popull e të mirat e pasuritë që posedon toka ku ai jeton… Kemi përgjegjësi të madhe para vendit e popujve prej nga vijmë. Dhe mos të harrojmë se kemi përgjegjësi të madhe edhe para Zotit, krijuesit suprem, kur do të dalim të japim llogari përfundimtare për punën tonë gjatë jetës në këtë botë.
Në fund, myftiu Tërnava apeloi që njerëzit të kujdesen ndaj tokës e të bëjnë veprime të mira e kundër arrogancës.
Në këtë mëngjes të bukur nga ky vend i shenjtë dhe para kësaj mase të madhe besimtarësh, me lejoni nga thellësia e shpirtit dhe zemrës t’ju uroj festën e Kurban Bajramit të gjithë besimtarëve të besimit mysliman në Kosovë, brenda trojeve tona dhe krejt mërgatës nëpër botë. Me fat ju qoftë festa e Kurban Bajramit!
Bashkësia Islame e Kosovës organizoi edhe pritjen tradicionale për festën e Kurban Bajramit.