Rajoni

Kuvendi i Kosovës miraton në parim rritjen e pagës minimale!

Në parim, Kuvendi i Kosovës miratoi sot projektligjin që i hap rrugë rritjes së pagës minimale. Drafti përfshin rritjen e pagës minimale në 264 euro bruto apo 250 neto, nga 130 deri në 170 që varion aktualisht. Ky projektligj është kundërshtuar nga veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për shkak të mospërfshirjes së tyre në rritjen e pagës minimale. Për këtë arsye, ata kanë organizuar edhe një protestë para Kuvendit të Kosovës, më 6 qershor.

Sipas zëdhënësit të Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, “nga viti 2017 kur edhe është bërë një ndryshim i Ligjit për veteranët e luftës, lidhja e pensionit të tyre me pagën minimale nuk përfshihet më”.

Projektligji i miratuar u kundërshtua edhe nga partitë opozitare në Kosovë. Besnik Tahiri, nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, deklaroi:

Në shumicën e sektorit privat, paga minimale ka arritur në 250 euro. Po të ishte paga minimale në propozimin që ne kemi pasur prej 370 eurosh neto, atëherë do të kishte diskutim. Në kuadër të këtij ligji është po ashtu një nen, i cili e largon një kategori (veteranët) nga lidhja me pagën minimale.

Nga Instituti i Kosovës për Drejtësi dhe nga Organizata për Demokraci, Anti-korrupsion dhe Dinjitet, “Çohu” shprehen se “pa përfunduar procesi gjyqësor lidhur në rastin “Veteranët”, pastrimi i listave, nuk mund të bëhet”.

Më 26 prill 2022, Gjykata e Apelit, ktheu në rigjykim rastin e njohur si “Veteranët”. Në akuzën e ngritur nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës dhe të konfirmuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë, më 19 qershor të vitit 2019, u ngrit dyshimi se për 19 mijë e 500 persona u dha statusi i veteranit, në mënyrë të paligjshme.

Aktualisht, sipas të dhënave zyrtare nga Qeveria e Kosovës, statusin e Veteranit Luftëtar e kanë 53 mijë e 188 vetë, ndërsa sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, 37 mijë e 6 persona janë përfitues nga skema për veteranët e luftës.