Rajoni

Kuvendi i Kosovës nuk konstituohet as në përpjekjen e 50-të!

Deputetët e Kuvendit të Kosovës nuk arritën as për të 50-ën herë ta konstituojnë Kuvendin e Kosovës, pavarësisht zërave se në fundjavë do të mund të arrihej një marrëveshje për zhbllokimin e situatës. 104 deputetë ishin të pranishëm. Elmi Reçica nga PDK-ja i bëri thirrje kryesuesit të seancës, Avni Dehari nga Lëvizja Vetëvendosje që të mos lejojë “të keqpërdoret”. Edhe Lidhja Demokratike e Kosovës, e akuzoi Deharin për “abuzim” me pozitën.

Para nisjes së seancës, avokati Arianit Koci prej flokët para Kuvendit, duke thënë se “ky është akt simbolik”, përmes së cilit po dëshmon se “ka ardhur fundi”.

Kjo nuk është më politikë, prandaj unë kërkoj që menjëherë sot të formohet Kuvendi. Nga kjo zvarritje po rrezikohet shtetësia e Kosovës.

Kuvendi nuk është konstituuar as pas një takimi të zhvilluar të shtunën e kaluar mes kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, njëherazi kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, me kreun e Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj. Hollësitë e takimit nuk janë bërë të ditura. Nisma kërkon që Limaj të propozohet për kryetar Kuvendi.

Deputetë të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, sot përsëritën se nuk kanë votë për Limajn si kryetar Kuvendi.

Situata është bllokuar pasi PDK, LDK, AAK dhe Lista Serbe, kjo e fundit partia më e madhe e serbëve në Kosovë, nuk pranojnë të propozojnë nga një kandidat për formimin e një komisioni për votim të fshehtë, me arsyetimin se mënyra e ndryshimit të votimit nuk është kushtetuese.

Lëvizja Vetëvendosje kërkon që për Albulena Haxhiun, e propozuar për kryeparlamentare, të votohet vetëm një herë përmes votimit të fshehtë dhe nëse nuk i siguron 61 votat e nevojshme, ajo do të tërhiqet nga gara. Haxhiu nuk i ka siguruar votat e nevojshme në disa seanca radhazi të zhvilluara me votim të hapur. Për disa parti, ajo konsiderohet figurë përçarëse dhe e papranueshme.

Palët vazhdojnë të mos gjejnë kompromis ndonëse po digjet afati i përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese për konstitutimin e Kuvendit. Edhe pse gjykata ka përcaktuar 26 korrikun si të fundit, nuk ka ofruar më shumë detaje se çfarë do të ndodhë nëse partitë nuk dakordësohen deri atëherë.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani paralajmëroi se do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese këtë javë. Pjesëtarë të shoqërisë civile protestuan disa herë para ndërtesës së Kuvendit duke iu bërë thirrje deputetëve për përgjegjësi.